Versioni zyrtar
Ardian Vehbiu*
Si do ti quajmë njerëzit që gjithnjë i besojnë versionit zyrtar për një ngjarje të rëndë, një vrasje politike, një atentat terrorist, një aksident që i ndodh dëshmitarit kyç në një skandal shtetëror; madje jo vetëm i besojnë, por edhe presin, duke mbajtur frymën, derisa të bëhet ai version publik, që pastaj ta nxjerrin (frymën) dhe të vazhdojnë jetën e tyre normalisht, pa çka se bota përreth mund tu ketë ndryshuar?
Budallenj, thotë zëri naiv brenda meje.
Versioni zyrtar, sikurse e thotë edhe vetë fjala, është një version i shkruar në zyrë, nga ca kalemxhinj zyracakë, që nuk janë as shkrimtarë as rrëfimtarë të mirë; dhe që, për më keq, i ndërhyjnë orë e çast njëri-tjetrit, për të ndrequr një frazë, rregulluar një përcaktor, mënjanuar një keqkuptim, një dykuptim, një trekuptim.
Mjaft të lexosh, bie fjala, versionin zyrtar të operacionit që përfundoi me vrasjen e Bin Ladenit, nëPakistan(zgjidhni e merrni vetë, cilindo version që të dëshironi; madje mbushjani mendjen vetes që versioni më i vonë është gjithnjë më i vërtetë se paraprirësi.)
Nëse shteti ka ndonjë detyrim që tu thotë shtetasve të vërtetën, për këtë mund të diskutohet gjetiu. Çfarë nuk ia vlen të diskutohet, është që shteti ka detyrim që të bëjë të pamundurën, për tu mbrojtur nga kërcënimet.
Ka një shprehje, raison détat, që vetëm frëngjishtja mund ta krijonte, po të kemi parasysh historinë e Francës, si ide dhe si republikë (ose edhe mbretëri, në daçi).
Versioni zyrtar nuk mund të jetë veçse i gënjeshtërt. Kjo do të thotë se shteti nuk e thotë dot të vërtetën, edhe sikur të dëshironte; që nga momenti që hap gojën të flasë, me zëdhënësat, çantëmbajtësit, informacionistët, telefonistët, recepsionistët, do të gënjejë vetvetiu. Është pak si në atë paradoksin e famshëm të Epimenidesit (që ishte edhe vetë nga Kreta): të gjithë kretasit gënjejnë.
Të thonë: ne u besojmë versioneve zyrtare, sepse i besojmë shtetit; dhe i besojmë shtetit, sepse shteti është yni; dhe se nuk mund të ketë demokraci, jashtë kësaj marrëdhënieje besimi.
Këtyre unë u them: paçi uratën, mor djem.
Ndodh një ngjarje e rëndë; shumë e rëndë që implikon kupolën e shtetit, përveç se implikon edhe organizata ndërkombëtare, aleanca ushtarake, superfuqi, shitblerje armësh, terrorizëm dhe kundërterrorizëm.
Kjo ngjarje ka një dëshmitar. Dëshmitari del për gjah siç bëjnë zakonisht dëshmitarët. Vetëm. Përplaset me makinë, përsëri vetëm. Ndodhin edhe gjëra të tjera, që kanë të bëjnë me një fluturim të çuditshëm nga makina, një qen që mbetet gjallëVersioni zyrtar: ishte aksident.
Si të mos e besosh? Vjen edhe një ekspert nga jashtë, burrë i hollë dhe i paanshëm, që ta mat vendin me pëllëmbë, dhe ta shpjegon si dhe pse ndodhi e pamundura.
Rrjedh edhe ca ujë, pastaj vriten nja katër veta, që demonstronin para selisë së qeverisë së Republikës. Kryeministri flet për lavire bulevardi, puç të opozitës, çadra dhe stilolapsa, SMS komprometuese. Si të mos e besosh, këtë njeri që kryeson ekzekutivin, me votëbesimin e rregullt, dhe demokratik, të përfaqësuesve të popullit?
Mblidhet një komision parlamentar, si ai që u mblodh dikur për të ftilluar vrasjen e Kenedit; dhe premton që ta gjejë të vërtetën, edhe ai. I kthehemi pastaj gjyqësorit, për ti kërkuar, së paku atij, të na ndriçojë me një kundërversion zyrtar dhe gjyqësori dërgon ekspertë të mençëm, që arrijnë në përfundimin se viktimat i ka vrarë arma. Ngrihen pastaj historianët, që të argumentojnë se nuk ishte shpata, por krahu i Skënderbeut.
Çfarë ti bësh një shteti që gënjen? Një shteti që shkel ligjin dhe kryen një krim? Shtetin se dënon dot; apo do ta dënosh siç dënojnë korporatat, persona juridikë, këndej nga Perëndimi; dhe do ta shpërndash, thyesh përgjysmë, copëtuar në njëmijë paketa aksionesh?
Dënimin e shtetit, në kohë të tjera, e kanë pasë quajtur grusht shteti. Ose putsch, siç na tha atëherë kryeministri, që po gatitej ta bënte Bamir Topi (of all people). Edhe shumë me faj këta tanët si bën dot; gënjeshtrën nuk na e solli qeverisja e PD-së, por e gjeti mes nesh, madje e kopjoi nga vendet aleate të NATO-s, që dinë si ti administrojnë katrahura të tilla.
Që prej 11 shtatorit, e më tej, antraksit postar, pastaj atentateve në Londër dhe në Madrid; pa u ngatërruar fare me suicide bombers në Irak versionet zyrtare, të kancelarive përkatëse, kanë qenë kaq të doktoruara, kaq të rishkruara e të ripunuara e të rilëmuara e të rimontuara, sa nuk gjen më burrë nëne që ti marrë vesh deri në fund.
Konspiracistët të thonë: doni të gjeni të vërtetën? Pyesni: Cui prodest? ose, nëse kjo ju tingëllon pak si shumë latinisht, ose nëse refuzoni të citoni Seneca-n, pyesni: Cui bono?
Mirëpo, tu vësh veshin konspiracistëve në rastin tonë të 21 janarit, do të thotë të besosh se këmbëzën e armëve të gardës e shkrepi opozita, teksa Sali Berisha u lexonte përrallën The Pet Goat fëmijëve, në kopshtin pa drekë të kryeministrisë
Më mirë ti kthehemi, atëherë, hipotezës së budallallëkut.
Dhe pikërisht budallallëkut të këtij ekzekutivi, që nuk arriti dot të kontrollonte një turmë protestuesish, përveçse duke i vrarë; ose nëpërmjet një akti që nuk do të shlyhet dot më, përveçse me shpërndarjen simbolike të shtetit ose më mirë, të këtij shteti.
(Ndoshta duhet të fillojmë ti numërojmë edhe ne republikat, siç bëjnë francezët; qoftë edhe thjesht për raison détat.)
Por të kthehemi te versioni zyrtar kjo narrativë fatale, proteike, e rrëshqitshme, që ndërron çdo ditë, pëson mutacione si ndonjë gjallesë virtuale, në kërkim të një stabiliteti që i mungon: sot reptil, nesër qift, pasnesër insekt si Gregor Zamza, më tutje mi kanali, dhi e vogël, ose shqipe me dy krerë (siç i ka hije mutacionit), baldosë, bollë e më në fund uroborus, ose dragua që ha bishtin e vet fundja a nuk flasin edhe vetë gjenerativistët për rekursion në sintaksë dhe në narrativë?
Përditë të shfaqet në një trajtë të re, si ajo gjëja, në filmin e njohur të John Carpenter (The thing). Eksperiment në narratologji, apo provë se shtetit nuk i mungon fare shpirti krijues, siç kujtohet shpesh?
Të vijmë tani te ata që gjithnjë i besojnë versionit zyrtar për një ngjarje të rëndë, një vrasje politike, një atentat terrorist, një aksident që i ndodh dëshmitarit kyç në një skandal shtetëror; madje jo vetëm i besojnë, por edhe presin, duke mbajtur frymën, derisa të bëhet ai version publik, që pastaj ta nxjerrin (frymën) dhe të vazhdojnë jetën e tyre normalisht, pa çka se bota përreth mund tu ketë ndryshuar. Tek-tuk ka edhe ndonjë budalla mes tyre (budalla të dobishëm, ose useful idiot, siç e quajnë ndonjëherë të tjerët, ose të mençmit). Por e shumta e avokatëve të ngazëllyer të gjithçkaje që del nga anusi i shtetit, të çdo rrapëllime prej borie të ndryshkur e të shpuar, të çdo shfryrjeje sulfurike të një vullkani në degradim të pashmangshëm; e shumta e këtyre flamurtarëve të zyrtarizmit, kur thonë që i besojnë gënjeshtrës së shtetit, e dinë edhe vetë se po gënjejnë veten dhe të tjerët.
Këta janë, ipso facto, gjithnjë më afër së vërtetës; madje edhe asaj të pashprehur kurrë, ose që nuk i ka shërbyer ende si shalë kali ndonjë lloj gënjeshtre. Këta janë ata që dinë, dhe që gjithashtu dinë se të tjerët nuk duhet të dinë, shkelësit profesionistë të syrit, njerëzit e së ardhmes: Karma police, arrest these men!
*Peizazhe të Fjalës