Si romët e Totozanit
Nga Alban SEJDINI*
Nëse politikë-bërësit shqiptarë e kanë mendjen se ku të kalojnë fundjavat apo ku të dërgojnë fëmijët me studime dhe shqiptarët e tjerë vrasin mendjen se cilin prej tyre të votojnë, – romët shqiptarë mendojnë se ku të gjejnë kanoçet apo monedhat e lypjes ditore. Nuk ia kanë fare haberin dhe nuk dinë të kërkojnë llogari për milionat e eurove të harxhuara vit për vit në emër të tyre, vetëm që ata të jenë më të barabartë.
Pikërisht për arsye të tilla për disa nuk ngjan edhe aq bukur që ca romë gjysmë të ngrirë të strehohen në mjediset e Avokatit të Popullit pas kaq vitesh të mbushura me projekte, shoqata e politika ministrore.
I sapozgjedhuri Totozani me një veprim sa ekstrem, aq edhe njerëzor, i vendos tufat e OJF-ve dhe sidomos drejtoritë e ministrive para detyrimit për të nxituar të bëjnë menjëherë diçka konkrete për romët e Totozanit, në mënyrë që punëve të tyre të mëparshme mos të fillojë tu vijë erë.
Një histori e kohës së komunizmit tregon, se sistemi i atëhershëm bëri me shtëpi disa anëtarë të komunitetit rom, të cilët sapo hynë brenda apartamenteve ndezën zjarr mbi dysheme. Ky tregim përdoret kryesisht nga shqiptarë pak a shumë bezhë, për të justifikuar paragjykimin se këta shqiptarët e tjerë pak a shumë të zinj janë më mirë nëpër tenda të bëra vetë dhe këmbëzbathur dimër e verë. Me të njëjtën mendje kanë ecur të gjitha qeveritë e tranzicionit shqiptar, që thjesht i kanë konsideruar romët si leje minerare e hidrokarburesh, duke i dhënë me koncesion tek OJF-të shqiptare të financuara nga jashtë. Duke qenë se jetojmë si anëtarë të Këshillit të Europës, plasëm të futemi në Bashkimin Europian dhe kemi nënshkruar si shtet çdo lloj konvente, karte e dokumenti ndërkombëtar, romët në Shqipëri kanë qenë një minierë e vërtetë floriri për disa që ua dinë vlerën.
Delegacioni i BE në Tiranë nuk rresht së caktuari një shifër të konsiderueshme eurosh ekskluzivisht për problemet e romëve shqiptarë vit pas viti, gjë që e rikujtoi edhe ambasadori Sekui pas daljes së djeshme nga salla e romëve të Totozanit. Vetëm përkthimi i raportit disa qindra faqesh për romët në Europë, që publikohet periodikisht nga KiE, shpërblehet në Tiranë me rreth 20 euro për faqe. Ata që merren me këtë raport nëpër zyra të ngrohta me kondicionerë, kafe e briosh, paguhen shumë më tepër se të rinjtë e të rejat, asistentë e vullnetarë, që shkojnë vetë nëpër çadrat e brigjeve të lumenjve e periferive të qyteteve për të marrë të dhëna të përgjithshme nga romët. Gjurmët e këtyre aktiviteteve tek romët shqiptarë duken tek bluzat e lira të shpërndara, fotografitë e vizatimet e realizuara. Në gjithë këtë mori vendesh pune, borderosh e mbeturinash financiare, sa romë janë punësuar për të punuar me romët? Sa romë janë në gjendje që të konkurrojnë për këtë lloj punësimi? Sa romë dinë të shkruajnë e lexojnë? Sa shtëpi me tulla e llaç u ndërtohen romëve nga kësi lloj aktivitetesh? Në fund mbeten përherë OJF-të shqiptare dhe drejtuesit e tyre, që sipas një kronike të para disa kohëve në TCh duhet të kenë qarkulluar ndër vite mbi 12 milionë euro vetëm për çështjet e romëve.
Përgjigja është po aq e thjeshtë: shyqyr që ka edhe në vendin tonë ca romë, në mënyrë që ojëfëtë e romëve të bëjnë para nga romët. Me anë të kësaj taktike, me një gur vriten dy zogj, sepse 1) edhe lekët i futin në xhep duke i mashtruar romët e dashur me dy bluza, tre kokteje e katër trajnime, 2) edhe romët nuk dalin nga skamja e analfabetizmi, gjë që siguron vazhdimësinë në këtë profesion. Me gjithë ato para të hedhura ndër vite për të përmirësuar kushtet e jetesës për romët, tani do të ishte ngritur të paktën ndonjë qytezë diku në Shqipëri, ku të mblidheshin të gjithë romët me kuç e me maç. Shembulli i ngritjes së qytezës ishte sa për tju krijuar idenë e shifrave të mëdha, të cilat vërtet kanë ardhur dhe do të vijnë për romët shqiptarë, por që më pas janë zhdukur e rrezik do të vijojnë të zhduken në drejtim të paditur njëlloj si ndershmëria, aftësia e përkushtimi i administratës dhe politikës. Përderisa kanë zgjedhur të jetojnë brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë që prej një kohe të paditur mirë, romët janë po aq shqiptarë sa edhe tironsit, shkodranët, tropojanët, lebërit e ata pe Korrçe, prandaj duhet të jetojnë si të integruar brenda komunitetit dhe jo të izoluar prej tij, siç ndodh në Shkodër kur sapo kalon urën e vjetër të Bunës.
Nëse nuk jeni dakord me këtë teori, atëherë nuk duhet tju vijë hidhur kur vëllai juaj emigrant të ofendohet nga afendikoi, kur mamaja juaj emigrante të detyrohet ti pastrojë plakës ato që edhe pjellës së saj i vjen ndot tia pastrojë, apo kur fëmija juaj të mos qaset nga vendalinjtë në shkollë, vetëm se është emigrant nga një vend i huaj.
Thelbi i kësaj çështjeje shkon përtej mesazhit kuptimplotë të strehimit të romëve në zyrat e AP. Në kushte pleviti, urie e skamjeje jetojnë edhe mjaft shqiptarë pak a shumë bezhë anembanë Shqipërisë, por thjesht nuk bien edhe aq në sy, sepse janë të ngjashëm me shumicën, jo me pakicën që ngjan me gomat e automjeteve.
Pas pak kohësh, romët do ti thonë faleminderit Totozanit dhe do tia lirojnë sallën e pritjes së popullit, sepse ojëfëtë dhe institucionet shtetërore do të bëjnë garë, kush e kush më parë tu sigurojë zgjidhje. Me këtë krizë, që ka hedhur rrënjët thellë në sistemin ekonomik shqiptar dhe me këta qeveritarë, të cilët i tregojnë onllajn-in të njëjtit bujk, të cilit i shesin farën e skaduar, salla e pritjes së popullit tek AP rrezik të mbushet përsëri me mysafirë të tjerë, që këtë herë mund të jenë ata pak a shumë bezhë. Vetëm atëherë, ndoshta, do të fillojnë të vihen në lëvizje institucionet shtetërore përkatëse dhe ojëfëtë e vjetra e të reja, sepse përndryshe do tu merret vesh që po e hanë bukën kot prej më shumë se 20 vitesh. Skema është e njëjtë, pra të gjithë mund të katandisen si romët.
*Rubrikën Made In Albania të autorit mund ta ndiqni çdo të premte në Shekulli dhe Shekulli Online