E Shtunë, 31 Tetor 2026

E injoron Pacollin

Presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka dashur të flasë rreth telefonatës së pakëndshme që kishte ditë më parë me Kryetarin e AKR’së, Behgjet Pacolli.

Të premten, me t’u kthyer nga Malajzia, Shefi i Shtetit tha se nuk ka çka t’i shtojë deklaratës së lëshuar nga Kabineti i tij.

“Është çështje që unë nuk dua të debatoj rreth kësaj. Sqarimet që janë dhënë nga Zyra e Presidentit janë korrekte”, ka thënë Presidenti Sejdiu.
Behgjet Pacolli ka deklaruar se në fund të prillit ka marrë një telefonatë nga Presidenti Sejdiu. Gjatë kësaj bisede, sipas tij, Sejdiu e ka fyer atë duke i thënë që mos të thirret në emrin e tij gjatë takimeve që zhvillon me shtetarë të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Këto komente, Presidenti Sejdiu përmes një deklarate për opinion, i kishte cilësuar si të pavërteta.

Megjithëkëtë, episodi me Behgjet Pacollin, për Presidentin Sejdiu, duket i tejkaluar. Të premten, ai ka preferuar të flasë më tepër për aktivitetet e tij lobuese në Malajzi.
Sipas tij, ekziston gatishmëri e madhe te shtetet e Lindjes që ta njohin realitetin e krijuar në Kosovë më 17 Shkurt 2008.

“Qëndrimi i tyre për Kosovën është jashtëzakonisht i mirë dhe mund të them që Malajzia dhe vendet që na kanë njohur do të angazhohen fuqishëm për njohje të mëtejshme për Republikën e Kosovës, për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale me këto vende, posaçërisht në rrafshin ekonomik”, ka thënë Sejdiu.

“Malajzia dhe vendet që na kanë njohur do të angazhohen fuqishëm për njohje të mëtejshme për Republikën e Kosovës, për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale me këto vende, posaçërisht në rrafshin ekonomik dhe them po ashtu se bisedat që kisha me përfaqësuesit e vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, ishte një qasje jashtëzakonisht korrekte”, ka shtuar ai.

Shefi i Shtetit pret që pas vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të ndikojë në shtimin e njohjeve të Kosovës nga vendet që ende hezitojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Delegacioni i Kosovës i prirë nga Presidenti Fatmir Sejdiu ka qëndruar për disa ditë në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lampur, ku ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Islamik.

Atje, Presidenti Sejdiu, përveç takimeve me burrështetas të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, takoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon.

“Takova edhe Sekretarin e Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, këmbyem disa mesazhe reciproke. Ky ishte takim blic, për pak kohë jemi parë pesë gjashtë minuta”, ka njoftuar Sejdiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›