E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biseda e trilluar

Një ditë pas incidentit në Aeroportin e Prishtinës, kryeprokurori i EULEX-it, Johannes van Vreeswijk, në intervistë për TV Klan Kosova, kishte pranuar tërthorazi së është kontaktuar me telefon nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kontrollit që i ishte bërë delegacionit kosovar që udhëtonte për Turqi.

“Më janë thënë disa gjëra, kaq mund të them”, ka thënë ai shkurt për Klan Kosova, pa dashur të japë detaje të tjera të bisedës telefonike.

Por, burime nga Zyra e kryeministrit kanë thënë për Express se kryeministri Hashim Thaçi asnjëherë nuk i ka telefonuar kryeprokurorit të EULEX’it, Van Vreeswijk.

“Kryeministri as që ka kontaktuar me kryeprokurorin e EUELX-it, Johannes van Vreeswijk”, është deklaruar shkurt ky burim.

Që kryeministri Thaçi nuk e ka bërë këtë telefonatë, këtë e ka pohuar të premten edhe zëdhënësja e EULEX-it, Kristiina Herodes. Ajo ka pohuar se ky deklarim është bërë vetëm nga mediat.

“Z. Thaçi nuk ka thirrur z. Vreeswijk. Kjo është thënë vetëm nga mediat”, thotë Kristiina Herodes për Express.

Mirëpo, Fatmir Aliu, redaktor i lajmeve në Klan Kosova, ku ishte transmetuar së pari kjo deklaratë, thotë se gjatë intervistës me kryeprokurorin Van Vreeswijk, ky i fundit nuk ka mohuar se ka pasur një telefonatë nga kryeministri Hashim Thaçi.

“Kryeprokurori nuk ka mohuar një gjë të tillë”, thotë Aliu.

Reagimet pas incidentit

Ndonëse pa u sqaruar se a është bërë telefonata në mes të kryeministrit dhe prokurorit, edhe të premten nuk kanë munguar reagimet pas asaj që ndodhi në Aeroport. Reagimi më i habitshëm erdhi nga Kryeministria, e cila mohoi dhe i quajti spekulime raportimet se ekipi qeveritar, është kontrolluar nga Policia e EULEX’it në AP.

“Edhe me rastin e udhëtimit në Turqi, kalimi i kufirit nga ana e delegacionit të udhëhequr nga kryeministri Thaçi është bërë normalisht, si çdo herë tjetër, sipas rregullave protokollare”, sqaron Zyra e kryeministrit.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë, shkrimet në disa media për kinse kontrollet e bagazheve të delegacionit kosovar janë kontrolluar nga EUELX-i, nuk janë të vërteta.

“Keqinformimi i tillë i qytetarëve të Republikës së Kosovës është joetik, i njëanshëm dhe nuk i shërben informimit të drejtë dhe profesional”, thonë zyrtarë të Qeverisë.
Sipas Zyrës së kryeministrit, bagazhet e delegacionit më të lartë shtetëror nuk janë kontrolluar gjatë kalimit të pikës kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Në këtë rast, misioni i EULEX-it në Kosovë pa mohuar kontrollin që i kanë bërë ekipit qeveritar një ditë më herët për Express, edhe një herë ua rikujtoi kosovarëve se kush është shefi i vërtetë këtu.

“Ashtu siç e dini edhe ju, EULEX-i ka disa funksione ekzekutive”, tha Alexandra George, zëdhënëse e doganave të këtij misioni. Ajo këtë përgjigje e ka dhënë për Express, pasi i është kërkuar sqarim nëse policët e EULEX-it e kanë kontrolluar kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, në Aeroportin e Prishtinës.

“Kjo do të thotë se ne mund të ndërmarrim aksione në disa fusha si korrupsioni, krimi i organizuar dhe krimet serioze financiare”, thotë George për Express. Ajo sqaron edhe një herë se në cilat shtylla EULEX-i i ka këto fuqi ekzekutive. “EULEX-i ka mundësi t’i zbatojë këto fuqi ekzekutive në polici, drejtësi dhe dogana”, thotë zyrtarja e doganave të këtij misioni.

Me t’u kthyer nga Malajzia, ndaj deklaratave dhe veprimeve të fundit të EULEX-it për incidentin në AP ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Për këtë Sejdiu ka dëgjuar për herë të parë tek pasi ka arritur në aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga Malajzia, ku ishte në një vizitë disaditëshe.

Ai ka thënë se duhet të respektohen procedurat e protokollit shtetëror dhe në një rast të tillë, sipas tij, këto procedura nuk janë respektuar.

“Unë s’kam informacion, tash mora vesh për këtë që mund të ketë ndodhur dhe nuk kam ndonjë sqarim të veçantë, por unë them që duhet të respektohen gjithë procedurat e protokollit shtetëror”, ka thënë Sejdiu pas kthimit nga Malajzia

Pa dashur të komentojë shumë për këtë incident, Sejdiu ka apeluar që ligjet në fuqi të respektohen si nga zyrtarët vendorë, ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë.

“Është shumë me rëndësi që institucionet e vendit, por edhe institucionet ndërkombëtare që janë bashkë në mbështetje të institucioneve të vendit, të respektojnë ligjet dhe gjithë çka është e nevojshme, por nuk kam informacione më tepër dhe s’dua të jap komente”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›