E keqja më e vogël
Para zgjedhjeve të vitit 2005, maksima Të pranojmë të keqen më të vogël përdorej shpesh në mediat dhe kafenetë shqiptare, kur krahasohej qeverisja e atëhershme e Nanos me qeverisjen e pritshme të Berishës. Dhe kjo maksimë sulmohej nga disa opinionistë të pavarur, prej një pozite morale që skishte të sharë. Sipas tyre, edhe kur personat në krye të pushtetit ndërrohen në Shqipëri, simbioza e oligarkëve të biznesit dhe mediave me politikanët e fuqishëm mund të ndryshojë pak në formë, por mbetet e njëjta në substancë. Dhe kjo përbënte të keqen më të madhe për ata opinionistë.
Në fakt, 22 vjetët e fundit ofrojnë mjaftueshëm shembuj lokalë e kombëtarë që i sjellin ujë të bollshëm këtij mulliri të argumentimit. Por historia e zhvillimit të një vendi ofron gjithnjë një por pas argumentimeve të tilla. Kështu, 22 vjetët e fundit na japin edhe shembuj që tregojnë se ndërrimi i personave në krye të pushtetit ka sjellë një hop në zhvillim, pavarësisht se sistemi nuk është ndryshuar rrënjësisht.
Me ngjitjen e Ilir Metës në postin e kryeministrit në vitin 1999, korrupsioni, klientelizmi dhe lidhjet e errëta të biznesit me politikën e mediat nuk u zhdukën, por Shqipëria njohu një rritje ekonomike të admirueshme në ato vite. Dhe ndërkohë, autostradat e superstradat filluan të shtrihen shumë përtej urës së Limuthit, vendit ku kishin ngecur deri atëherë.
Gjithashtu, ardhja e Ramës në vitin 2000 në krye të Bashkisë së Tiranës, vërtet nuk e bëri këtë të fundit Kopenhagen, por hapi rrugën për një bum të paparë ekonomik të kryeqytetit. Dhe së fundi, ikja e Nanos dhe ardhja e Berishës në pushtet në 2005-ën nuk ishte thjesht vazhdim i status-kuosë.
Meqë ardhja e Berishës në pushtet është më aktuale, le të merremi pak më gjatë me të. Së pari, ajo shënoi transferimin e parë paqësor të pushtetit me zgjedhje normale, qysh nga themelimi i shtetit shqiptar. Dhe për një vend që synon të adoptojë sistemin demokratik të qeverisjes, nuk ka gjë më të rëndësishme se sa vetë alfa e sistemit – transferimi paqësor i pushtetit me zgjedhje normale.
Më tej, pavarësisht se simbioza politikë-biznes-media vazhdoi lulëzimin nën hijen e Berishës, gjërat nuk mbetën njëlloj si në kohën kur qeveriste Nano. Kështu, në mandatin e parë qeverisës të Berishës, edhe pse buxheti i shtetit mbeti në nivelin 28-29 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto, raporti mes investimeve publike dhe shpenzimeve operative u përmirësua ndjeshëm.
Gjatë qeverisjes së Nanos, investimet publike mezi arritën të ngjiten deri në nivelin 15% të buxhetit të shtetit, ndërsa gjatë mandatit të parë të Berishës, kapën edhe nivelin 33% të buxhetit në vitin 2008. Dhe investimet, sado që mund të shpërdorohen gjatë tenderimeve, trupëzohen në objekte që kanë jetë të gjatë. Ndërsa shpenzimet operative treten në xhepat e zyrtarëve, në serbatorët e makinave shtetërore, në impulset e celularëve, etj. etj.
Por, a duhet të kënaqemi me sukseset e pjesshme të shkuara të Metës, Ramës, e Berishës, ndërkohë që oktapodi politikë-biznes-media ka vazhduar të majmet nën hijen e tyre? Mendja ta do se shumica e shqiptarëve do të dëshironte një sistem puritan politiko-ekonomiko-mediatik, të bazuar në meritokraci dhe ndershmëri (të ngjashëm me të Danimarkës, për shembull). Por e keqja është se historia botërore ka treguar që rruga drejt një sistemi të tillë është shumë e gjatë dhe me shumë kthesa.
Kështu, po të gërmosh në arkivat e gazetave amerikane të 100 vjetëve të para të demokracisë, do të gjesh skandale shumë të shpeshta korrupsioni të elitës politiko-ekonomike. Vetë pasurimi marramendës i të mbiquajturve baronë plaçkitës, si Rokëfeller, Morgan, Stanford, Karnegi, Hopkins, e shumë të tjerë, i pati rrënjët në mbylljen prej politikanëve të njërit sy e të njërit vesh. (Për Rokëfellerin thuhet se ka thënë: Vetëm mos më pyesni sesi e kam fituar milionin e parë; për të tjerat u tregoj gjithçka) Ndërsa po ta hedhësh vështrimin më afër në kohë dhe hapësirë – në Italinë fqinje – 65 vjetët e fundit ofrojnë shembuj të panumërt të një oktapodi politikë-biznes-media që majmet në kurriz të publikut, ndërkohë që vendi, ama, e ka vazhduar rrugën e mundimshme të zhvillimit ekonomik (Pavarësisht nga gjithçka, prej vitit 1970 e këtej, kurba e rritjes në përqindje të PBB-së për frymë në Itali ka ndjekur pothuaj hap pas hapi atë të Gjermanisë).
Duke u kthyer në Shqipëri, rishtrojmë pyetjen nëse simbioza politikë-biznes-media është e keqja më e madhe aktualisht për ne. Unë do të përgjigjesha se është e keqja më e vogël. E keqja më e madhe për Shqipërinë do të jetë në qoftë se zgjedhjet e 23 qershorit nuk do të realizojnë transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore për të dytën herë radhazi (në mënyrë të ngjashme me ato të 2005-ës), ose në qoftë se Berisha do të mbetet në pushtet falë zgjedhjeve të kontestuara nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar. Kjo e fundit, sepse një palë zgjedhje të kontestuara apo, më keq akoma, të dhunshme, do ta zgjasnin deri në dhimbje tranzicionin tonë drejt demokracisë. Dhe demokracia ka treguar ndër shekuj se, pavarësisht nga ngadalësia e breshkës në purifikimin e sistemit, është mjeti më efikas për të siguruar zhvillim gradual afatgjatë të një vendi.
