Debat për integritetin e Soros-it apo sondazhit?!
Sondazhi i prezantuar nga Fondacioni Soros ka ngjallur debate dhe paqartësi mbi përfundimet e tij jo aq për shkak të animit majtas apo djathtas, por për shkak të frikës se mos Fondacioni Soros, i njohur për orientimin e tij liberal, mund të jetë i kapuri i radhës i pushtetit në Shqipëri. Përfundimet janë të tilla që krijojnë dy dilema, ose Soros-i është kapur, ose shoqëria shqiptare është e frikësuar në një shkallë të tillë që të bën të mendosh se sondazhet janë të dështuara.
Disa parametra të sondazhit, kur kryqëzohen me njëri- tjetrin, japin përfundime jologjike dhe shpesh të habitshme. Fjala vjen, besimi në institucione është më i ulëti në Evropë në masën 2.5 përqind, pëlqimi i qeverisë është shumë i ulët, braktisja e së djathtës është në shkallën 70 përqind, shifra këto që të krijojnë idenë se shoqëria është kundër pushtetit, kurse në përfundimet finale duket sikur shoqëria voton më shumë pushtetin!!!
Nga ana tjetër, nëse i bën një lexim shabllon sondazhit, duket sikur në Shqipëri po përgatitet një forcë e re jashtë partive tradicionale kur lexon se 47 përqind e elektoratit shprehet se nuk ndjehet afër me asnjë parti. Një masë e tillë njerëzish kjo, e frikshme për çdo klasë politike. Por kur shikon se 400 të pyetur nga 1600 nuk kanë pranuar të marrin pjesë në sondazh, e kupton se më shumë se sa po mendojnë për një forcë të re, shqiptarët kanë frikë të shprehen për politikën shqiptare, fenomen ky i diktuar nga ndarja klasore që pushteti po ushtron mbi qytetarët.
Pra, ashtu siç thashë, këto shifra kanë dy interpretime. Ose shoqëria është e trembur nga survejimi qoftë dhe përmes sondazheve dhe ku pjesa opozitare druhet të flasë, ose kemi një shmangie të kampionit të sondazhit djathtas siç thonë disa ekspertë sondazhesh dhe pastaj e gjitha kjo ngjan me një sondazh të zhvilluar në oborrin e PD-së.
Këtë përfundim duhet ta sqarojnë mirë hartuesit e peticionit. Nëse kemi të bëjmë me një shoqëri të frikësuar, sondazhi është i shpjegueshëm. Me një shoqëri të frikësuar nga pushteti shpjegohen disa parametra të tij. Fjala vjen, përqindja e lartë e atyre që thonë nuk jemi me asnjë parti, dhe përqindja e lartë e atyre që nuk kanë pranuar të marrin pjesë në sondazh, shpjegohen lehtë me shoqërinë e frikësuar nga dhuna politike e Berishës. Ky është përfundimi i tërthortë më i rëndësishëm i sondazhit nëse do ta shpjegojmë kështu rezultatin.
Në rast se ky parametër nuk sqarohet nga autorët, sondazhi bëhet i pakuptueshëm, pasi ka të dhëna shumë kontradiktore, të cilat nga një anë pasqyrojnë zhgënjimin e lartë të shoqërisë, dhe nga ana tjetër hidhen për ushqim propagandistik të dhëna që krijojnë perceptime të gabuara politike pro pushtetit.
Janë këto paqartësi që kanë shkaktuar debat dhe pikëpyetje mbi integritetin e sondazhit, por dhe integritetin e zyrës së Fondacionit Soros në Tiranë, i cili nëse nuk është i aftë të sqarojë përfundimet e veta, do të jetë në mëshirën e përfundimeve që të tjerët do të nxjerrin për të. Dhe përfundimi i parë që të shkon në mendje me dhimbje është se janë të kapur nga pushteti si shumë institucione shqiptare dhe të huaja që bëjnë biznes me emrin dhe historinë e tyre me regjimin.
