Pse Berisha nuk mund të rrahë gjoksin?
Sali Berisha ka bërë dje një enumeracion të sukseseve të tij, gjatë një seance parlamentare që më shumë i ngjante një prove gjenerale të fushatës që po afrohet. I vënë në trysninë e opozitës, e cila e akuzon se po përmbyll një mandat të dështuar dhe pa bilanc, ai ka shpjeguar turin e tij dhe takimet e tij të fundit me qytetarët dhe me grupet e interesit. Unë nuk do të shkoj tek ta për të rrahur gjoksin, ka qenë refreni i Berishës, i cili përmendte pas këtij lajtmotivi, heqjen e vizave, 10 mijë kilometrat e rrugëve të ndërtuara, 50 hidrocentralet, pa harruar të përmendë se gjatë mandatit të tij edhe lopët u bënë me kompjuter në vesh, ndërsa fermerët plotësuan ëndrrën e lashtë të Skënderbeut, për një Shqipëri plot ullinj.
Natyrisht, për të gjitha këto rrahje gjoksi të kryeministrit, kundërshtarët e tij kanë kundër-argumentet e tyre, të cilat do të shpalosen njëra pas tjetrës në fushatë. Sepse bilanci i mandatit të dytë qeverisës është katastrofik. Borxhi publik është rritur në masë kritike, gjë që e theksojnë edhe të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë. Edhe rrugët e ndërtuara po degradojnë përditë. Firmat që i kanë lënë pa mbyllur ato, pothuajse kanë falimentuar si pasojë e parave që nuk u paguan dot qeveria. Privatizimet po dështojnë njëra pas tjetrës, kriza po ndihet nga të gjithë dhe pak kush ka arsye për të qenë optimist.
Por, e gjithë sa u tha më lart është vetëm një përballje këndvështrimesh mbi performancën e qeverisë, e cila është krejtësisht e pamjaftueshme për të bërë llogaritë me një mazhorancë që qeveris prej tetë vitesh vendin.
Edhe sikur ky mandat të kish pasur arritjet e katërvjeçarit të parë, i cili në këtë këndvështrim është ku e ku më i mirë se ky aktuali, (me reformat fiskale të dy viteve të para, me mbledhjen e të ardhurave, me rritjen ekonomike që arriti deri 7-8 përqind, me rrugët e ndërtuara e me hyrjen në NATO), përsëri ai do të ishte i pamjaftueshëm për të dhënë një pasqyrë të këtij pushteti të gjatë të një njeriu të vetëm.
Pyetja reale për Berishën sot është: çfarë po lë ai trashëgim që nga ardhja në pushtet në shtator të vitit 2005. Dhe këtu bilanci është ku e ku më negativ. Sepse ai nuk lidhet vetëm me mossukseset e një kabineti të atrofizuar të dominuar nga vullneti i një njeriu të vetëm. Ai lidhet me një problem më të madh: me atë modelit të shtrembër që i është imponuar shoqërisë gjatë kësaj periudhe. Ndaj qeverisja e Berishës në këtë prag fushate nuk mund të shihet vetëm si një çështje debati mbi shifrat. Ajo duhet parë më gjerë e më thellë.
Sepse në këto tetë vite u krijua modeli se pushteti mund të vrasë në mes të Tiranës, e për këtë askush të mos dënohet (kamerat fshihen, provat zhduken e gjyqtarët veprojnë si kamikazë politike). Sepse u krijua modeli që krimi shtetëror i Gërdecit të konsiderohet si aksident teknik. Sepse u krijua modeli që dhjetë vota mund të rrëmbehen pa problem. Sepse u krijua modeli që biznesi mund të të rrëmbehet sot me nesër, nëse ai i volit, familjes në pushtet (siç ndodhi me të ndjerin Kosta Trebicka). Sepse u krijua modeli që askush nuk investon dot në këtë vend, po spagoi aq sa duhet tek e njëjta familje. Sepse u krijua modeli që klientët e pushtetin nuk paguajnë taksa në miliona dollarë. Sepse u krijua modeli që këta borxhlinj marrin pjesë në privatizimet e mëdha duke u tallur me të gjithë ne.
Natyrisht që e gjithë kjo klimë ka sjellë edhe një stepje të shoqërisë. Mediat pranë pushtetit janë shndërruar në televizione alla- çavez, që i japin minuta të tëra shakave pa kripë përpara ministrave dhe deputetëve e që nuk guxojnë ti lënë vend as kritikave miqësore ndaj qeverisë (si në rastin e djeshëm që një vërejtje me doreza e një përfaqësueseje të Dhomës Amerikane të Tregtisë u zhduk nga të gjitha ekranet e kontrolluara).
Intelektualët me qira janë të gatshëm të firmosin pa kokëçarje në tekste anti-opozitare dhe në letra të bardha. Specialistët pa ngjyrë janë të trembur të thonë fjalën e tyre për digat e hidrocentraleve, për ujërat detarë, për sistemin e drejtësisë, nga frika se bëhen mish për top prej makinerisë propagandistike të pushtetit.
Madje edhe zyrtarët e lartë, që çdo mëngjes veshin kostumin e servilit, guxojnë të belbëzojnë disa të vërteta vetëm në selinë e rrugës së Elbasanit, ashtu siç rezulton nga zbardhja e kabllogrameve të zbardhura të Departamentit të Shtetit.
E gjithë kjo klimë është krijuar nga një filozofi e vetme: kush nuk është shërbëtori im, është armiku im. Viktimat e kësaj filozofie nuk janë të pakta. Deri më tani dy presidentë republike, dy kryeprokurorë, dy ambasadorë amerikanë e dhjetëra e dhjetëra qytetarë të tjerë, që kanë kujtuar për një çast se mund të bëjnë në liri punën e tyre dhe të shprehin publikisht bindjet e tyre.
Ndaj kur flasim për bilancin tetëvjeçar të qeverisjes së Berishës, duhen pasur parasysh edhe këto. Duhet pasur parasysh klima e pafavorshme e konkurrencës në biznes, dërrmimi i kundërshtarëve, ndrydhja e lirive, krijimi i një frakture që ka çuar në llogorizimin dhe asfiksimin e shoqërisë.
Ndaj kur flasim për këtë bilanc, nuk duhet të biem tek kurthi i Berishës që po vijon të flasë vetëm për shifra, edhe pse ato i ka tejet të rënda. Sepse shefi i një shumice tetëvjeçare nuk duhet të matet vetëm me performancën e qeverisjes tij. Ai duhet përballur pikësëpari me mënyrën si është munduar ta modelojë shoqërinë. Ky është bilanci i tij i vërtetë. Dhe këtu, Berisha ka pak gjasa ti bjerë gjoksit.
