E majta përçahet edhe në Durrës. Deputeti i LSI-së sulmon kryetarin e PS-së: Rrezikojmë një mandat më pak
Lefter Koka akuza Ramës: Mashtrove, s’je bindës në justifikimin për moskandidimin e Agron Dukës
Beteja brenda së majtës zhvendoset në Durrës. Kandidati i LSI-së Lefter Koka e cilëson justifikim “jo të qenësishëm” mospërfshirjen në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së të Agron Dukës, nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Kunati i Dukës, Lefter Koka shprehet se, “mendoj që zoti Rama e ka pasur më herët dhe jo tani këtë vendim në kokë, për të mos e kandiduar zotin Duka”. Në një intervistë të botuar sot për “Gazeta Shqiptare”, Koka shprehet se këto biseda për kandidimin, Duka dhe Rama i kanë bërë së bashku më herët, qysh para 4 viteve. “Janë biseda që ai i ka bërë me zotin Rama dhe nëse kryetari i PS-së qysh para 4 vjetëve e ka vlerësuar dhe i ka premtuar që do ta përfshijë si kandidat dhe në fund jep këtë arsye, nuk më duket aspak bindëse dhe nuk më duket e plotë”, tha Koka. Ai e sheh me rrezikshmëri të lartë për votat socialiste, kandidimin e Dukës, kur thotë se koalicioni i majtë rrezikon një mandat më pak në Qarkun e Durrësit. “Zoti Duka ka kontribute në parti e shoqëri dhe të gjithë i njohin dhe i vlerësojnë ato kontribute. Çdokush që largohet krijon dëm, dhe ky dëm është i dimensioneve të ndryshme. Unë nuk mundem ta parashikoj tani këtë dëm, por kjo do të vlerësohet pas 23 qershorit. Por sigurisht që largimi i Dukës e dëmton të majtën”- thotë ai.
...