E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta, si bllokuese e reformave

02-11-2012 / Nga Ilirian Dahri

Problemet në vendin fqinj kanë qenë dhe janë të shumtë. Që nga masat shtrënguese, ulja e Gdp, reduktimi i të ardhurave dhe për të vazhduar më tej edhe me  masat e reja. Në këtë situatë ka edhe lajme pozitive siç është ai i ligjit të ri që është paraqitur në Parlamentin e vendit fqinj të Greqisë. Gjithsesi recesioni do të shtojë akoma dhe më tepër borxhin publik që do të rritet nga 179,3% në 189,1% të Gdp. Në fakt po shkohet më lart se parashikimet më të këqija të Fondit Monetar Ndërkombëtar sipas të cilave mund të arrinte maksimumin në 171% të Gdp. Projektet e bilancit duket se po i shuajnë përfundimisht shpresat për borxhin grek i cili mund të zbresë në 120% të Gdp brenda vitit 2020. Nisur nga kjo shifër, edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar e konsiderojnë këtë fakt si të një niveli të menaxhueshëm. Nga ana tjetër brenda Bashkimit Europian po flitet për t’i dhënë akoma dhe më shumë mundësi dhe kohë Greqisë. Për t’i dhënë më shumë kohë për të arritur në vitin 2016 (dhe jo në vitin 2014 siç ishte parashikuar) që do të kapte edhe shifrat nga 18 në 30 miliardë euro. Për t’u rikthyer tek votimi në Parlament duhet thënë se rezultati i votimit ka qenë shumë i ngushtë por gjithsesi janë  pranuar në këtë mënyrë privatizimet e kërkuara nga troika. Por nga ana tjetër sindikatat e vendit fqinj kanë shpallur një tjetër grevë të përgjithshme 48 orëshe e përcaktuar për datat 6 dhe 7 nëntor kundër masave të kursimit që do të votohen javën e ardhshme. Pra situata është e ndërlikuar dhe kjo nuk është diçka e re. Gjendja nuk është qetësuar edhe pas videokonferencës së ministrave të Eurogrupit që ishin duke vendosur për dhënien e dy viteve më shumë për Greqinë. Sidoqoftë gjithçka për vendin fqinj është spostuar për datën 12 nëntor, të paktën siç ka deklaruar edhe presidenti i Eurogrupit Junker në një komunikatë të shpërndarë në fund të kësaj videokonference. Por nga ana tjetër, sipas disa burimeve europiane ka vende të Bashkimit Europian që nuk duan të shkojnë më përtej në këtë odise. Gjermania, një ndër këto vende, ka përjashtuar mundësinë e ndihmave të reja për Greqinë. Vende të tjera ndërkaq  kanë kërkuar të ulin taksën e interesit në huatë dypalëshe të shpëtimit të parë ose që të zgjasin kohën e kthimit të tyre. Ndoshta zgjidhja me Bankën Qëndrore Europiane mund të gjendet në datën 12 nëntor, në të kundërt për Greqinë nuk do të ketë më ndihma prej 31,5 miliardë eurosh. Por edhe situata e brendshme politike në Greqi nuk është nga më të mirat. Kryeministri grek Samaras nuk kishte mbaruar ende frazën për të dhënë lajmin se marrëveshja ishte kryer  kur dy nga partnerët e koalicionit të tij kanë thënë tërësisht fjalë të tjera për një qeveri që është në pushtet prej katër muajsh. Venizelos, lideri i partisë socialiste ka deklaruar se “Bisedimet me troikën do të vazhdojnë deri në 12 dhjetor, ditën e Eurogrupit”. Në të njëjtën kohë edhe partia e majtë demokratike që është pjesë e koalicionit qeverisës nuk e ka pranuar marrëveshjen me troikën sidomos në pjesën ku flitet për kontratat e punës dhe rrogat e nëpunësve publikë. Sipas gjasave kjo mund të jetë edhe një taktikë për qëllime parlamentare duke parë se numrat në parlament kalojnë gjysmën e tij dhe koalicioni ka 176 vende nga 300. Në të vërtetë 127 vendet e Demokracisë së Re janë të lidhura me 33 vendet e Pasok-ut por edhe me 16 vendet e të majtës demokratike. Në Parlamentin grek është votuar ndërkaq edhe për ndryshimet  në privatizimet për të evituar në të ardhmen që të votohet veçmas për secilën shoqëri publike. Në fakt troika (Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qëndrore Europiane) e kanë dashur këtë ligj i cili ka qenë i domosdoshëm për dhënien e këstit të dytë të ndihmave për Greqinë. Në memorandum parashikohen edhe reformat strukturore që parashikojnë 89 reforma strukturore, ndër të cilat edhe rishikimi i sistemit fiskal, reforma në kontratat e punës të privatëve, reduktimi i punonjësve publikë. Ky dekret duhet që të paraqitet në Parlament më datën 5 nëntor të këtij viti dhe vetëm pas dy ditësh duhet aprovuar në Parlament. Qeveria e Samaras duhet që të paraqesë në Parlament edhe ligjin financiar 2013 që parashikon edhe 13,5 milardët për vitin 2013 -2014 sepse pa këtë lëvizje nuk mund të arrijë kësti i dytë i ndihmave prej 31,5 miliardë eurosh. Në këtë situatë edhe kancelarja Merkel dhe Lagarde nuk kanë dashur të flasin për Greqinë por janë mjaftuar me disa deklarata për rritjen globale duke vënë theksin në reformat strukturore në përgjithësi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›