Vizita e Klinton, shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për Shqipërinë
Mediat për vizitën e Sekretares amerikane të Shtetit, në Tiranë
Vizita e sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton në vendin tonë është pasqyruar gjerësisht në media. “Europa e Lirë” ka komentuar këtë vizitë si një dëshmi më shumë për solidaritetin dhe mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë. Në artikullin e saj vëmendja është përqendruar te kërkesa e Clinton që zgjedhjet e vitit 2013 të jenë të hapura dhe të balancuara, me qëllim që “populli dhe Bashkimi Evropian të krijojnë besim te liderët”. Sekretarja amerikane ka thënë se në konsolidimin e demokracisë, nuk duhen vetëm zgjedhje të suksesshme, por edhe institucione të forta dhe të paanshme. “Deutsche Welle” në artikullin e saj shkruan se Sekretarja amerikane e shtetit Clinton është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që janë partnerët dhe miqtë e vendit tonë në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe hapjes së ekonomisë. Më tej shkrimi vazhdon me urimin e Clinton për 100 vjetorin e pavarësisë si dhe ka konfirmimin e bashkëpunimit të ngushtë për 100 vitet e tjera. Ndërsa “Zëri i Amerikës” është përqendruar në takimin e sekretares amerikane të shtetit me presidentin e vendit Bujar Nishani, i cili i akordoi asaj edhe një nga medaljet më të larta, atë të Urdhrit të Flamurit e cila i është dhënë më parë edhe ish presidentëve Bill Clinton dhe George Bush. Më pas Sekretarja amerikane është takuar me Kryeministrin Sali Berisha i cili edhe një herë i ka vënë në dukje asaj se “kjo vizitë është xhevahiri në kurorën e festimeve”, që Shqipëria po organizon me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Agjencia italiane e lajmeve për shtypin e përditshëm kombëtar gjithashtu ka komentuar vizitën e Clinton në Shqipëri dhe apelin e saj për një bashkëpunim më të ngushtë të politikës shqiptare për të përshpejtuar në këtë mënyrë integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Economik Times” vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të suksesshme në rrugën drejt anëtarësimit në bashkimin Europian. Sipas kësaj agjencie lajmesh vizita e Sekretares amerikane të Shtetit ka pasur në fokus pikërisht kërkesën për përmbushjen e reformave në mënyrë që vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat në fund të këtij viti.