Hillari Klinton: Edhe 100…100...100 vjet, me Shqipërinë
Vizitë historike e Sekretares Amerikane të Shtetit Hillari Klinton. Ajo rinovoi aleancën strategjike 100 vjeçare mes dy vendeve si një aleancë që do të zgjasë edhe për qindra vjet të tjera. Në një pritje emocionuese në selinë e presidencës, në kryeministri dhe në Kuvend, Shqipëria ka rikonfirmuar se lidhjet mes dy vendeve janë mijëra herë më të forta dhe se kjo aleancë do të vijojë, megjithë sfidat gjeopolitike që mund të ofrojë politika e brendshme apo konjuktura rajonale
Kryeministri Berisha takohet me Sekretaren e Shtetit të SHBA, zonjën Hillary Clinton. Berisha: “Vizita e Klinton, margaritar në kurorën e këtij përvjetori të madh”
Berisha: “Vullnet që zgjedhjet e 2013 të plotësojnë të gjitha standardet për zgjedhje demokratike”
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim, Sekretaren e Shtetit të SHBA, zonjën Hillary Clinton, e cila zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit. Sekretarja e Shtetit shoqërohej nga Philip Gordon, Asistent Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Euro-Azisë, si dhe nga ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu.
Pas prononcimeve për shtypin, gjatë takimit Kryeministri Berisha i uroi Sekretares Clinton mirëseardhjen dhe e vlerësoi vizitën e saj në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, si vizitën më historike të bërë nga një Sekretar Shteti në Shqipëri. Kryeministri u shpreh se arritja më e madhe në këtë njëqindvjeçar është liria e kombit shqiptar dhe për këtë, shqiptarët i detyrohen shumë Shteteve të Bashkuara. Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve bilaterale dhe angazhimin për çuarjen e tyre më tej.
Sekretarja Clinton falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe theksoi se kjo vizitë ishte realizimi i dëshirës për të vizituar Shqipërinë si Sekretare Shteti e SHBA në një moment kaq të rëndësishëm, siç është 100 vjetori i pavarësisë. Ajo u shpreh se që nga viti 1919, kur Presidenti Willson mbështeti pavarësinë e Shqipërisë, SHBA kanë vazhduar gjithmonë të mbështesin kombin shqiptar, Shqipërinë dhe Kosovën, në përpjekjet e tyre për liri, pavarësi dhe demokraci. Ajo theksoi se SHBA do vazhdojë ta mbështesin Shqipërinë në përparimin e demokracisë, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, zhvillimin ekonomik dhe në përpjekjet e përbashkëta për stabilitet dhe paqe në rajonin e Ballkanit. Sekretarja Clinton e falënderoi Kryeministrin për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë SHBA-ve në të gjitha forumet ndërkombëtare, në NATO, si dhe në luftën kundër terrorizmit, në Afganistan, Irak dhe kudo, ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mbrojnë parimet e lirisë dhe demokracisë.
Kryeministri e falënderoi Sekretaren Clinton për mbështetjen e jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë nga SHBA si partneri dhe aleati më i madh i kombit tonë dhe e siguroi se Shqipëria do të mbetet një aleat besnik i Shteteve të Bashkuara, i gatshëm të qëndrojë në krah të tyre në çdo sfidë dhe kudo në botë. Kryeministri e njohu shkurtimisht Sekretaren Clinton me përpjekjet dhe reformat e qeverisë shqiptare për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin dhe përparimin ekonomik, social, shëndetësor etj. dhe vlerësoi lart ndihmën e SHBA në këtë drejtim. Kryeministri e siguroi Sekretaren Clinton se pas anëtarësimit në NATO, integrimi në BE është projekti më i madh për Shqipërinë. Ai shprehu bindjen e tij dhe të qeverisë shqiptare se një proces integrimi i bazuar në meritë është në interesin më të mirë të shqiptarëve, për një Shqipëri të zhvilluar dhe demokratike.
Kryeministri u shpreh se problemet politike tashmë janë tejkaluar dhe se rekomandimet e Komisionit Evropian janë përmbushur në masën më të madhe dhe duke shprehur angazhimin e plotë të qeverisë për të miratuar tre ligjet e kërkuara nga BE, shprehu besimin se interesi kombëtar do të mbizotërojë dhe opozita do t’i votojë këto ligje. Kryeministri siguroi Sekretaren Clinton për vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare që zgjedhjet e vitit 2013 të plotësojnë të gjitha standardet për zgjedhje demokratike. Ai shprehu besimin se reforma konsensuale zgjedhore dhe vullneti i mirë i të gjitha palëve do të sigurojnë që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Në këtë kuadër, ai ftoi Sekretaren Clinton që SHBA të dërgojnë një numër sa më të madh vëzhguesish.
Bashkëbiseduesit diskutuan dhe ndanë të njëjtat qëndrime për zhvillimet në rajon.
Në takim u theksua se është në interesin e paqes dhe stabilitetit që vendet e rajonit të lenë pas të shkuarën dhe të fokusohen në të ardhmen e tyre të përbashkët, integrimin në Bashkimin Europian. Kryeministri e falënderoi Sekretaren Clinton për mesazhet e qarta të dhëna gjatë kësaj vizite në rajon dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me Kosovën në favor të paqes, stabilitetit si dhe ruajtjes së kufijve ekzistues, si interesi më i mirë i rajonit. Në takim u theksua se investimi shumëvjeçar për paqen dhe stabilitetin në rajon nuk duhet të çohet dëm nga qëndrime nacionaliste.
Kryeministri i përcolli Sekretares Clinton përshëndetjet për Presidentin Obama, si dhe shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin për humbjet njerëzore dhe dëmet e shkaktuara nga uragani.
Prononcim i Kryeministrit Berisha dhe Sekretares së Shtetit të SHBA Hillary Clinton, para fillimit të takimit
Kryeministri Berisha: “Çdo vizitë e një Sekretari të Shtetit në Shqipëri është një vizitë historike, por vizita juaj është më historike, sepse përkon me një përvjetor të madh të vendit e kombit tim, 100 vjetorin e pavarësisë. Në këtë kontekst, ju siguroj se për çdo shqiptar, prezenca juaj, sot, është një margaritar në kurorën e këtij përvjetori të madh. Shqiptarët i janë shumë mirënjohës vendit tuaj, juve, qeverisë suaj, sepse gjatë 100 viteve ia dolëm të triumfojmë në situatat më të vështira dhe ne jemi sot, një komb i lirë se kemi pasur privilegjin të kishim rolin përcaktues të kombit tuaj, qeverisë dhe vendit tuaj. Edhe një herë ju uroj mirëseardhjen më të ngrohtë. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët”.
Sekretarja Clinton: “Zoti Kryeministër, është një nder i madh të jem këtu, sot, në ditën e parë të muajit që shënon përvjetorin e 100 të pavarësisë suaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme”.