“E majta sulmon Presidentin, kjo nuk haset në vendet e civilizuara”
Reagon deputeti i PD, Tritan Shehu
Deputeti i PD, Tritan Shehu deklaroi përmes një komunikimi për shtyp se, Njoftimi i Presidencës në lidhje me akuza ndaj presidentit Nishani është mjaft shqetësues, për të vërtetën që ai ngre. “Fatkeqësisht në mënyrë sistematike po sulmohet Presidenti i Republikës nga e majta e politikës sonë. Ky është një fenomen, që nuk haset në vendet e civilizuara, ku edhe objeksionet, që mund të këtë dikush ndaj atij institucioni shprehen me më shumë kujdes e etike. Këtu po ndodh e kundërta, mungon etika, mungon vërtetësia e akuzave”, deklaroi Tritan Shehu. Më tej, ai shton se, Në të vërtetë lehtësisht mund të konstatohet një sulm frontal ndaj Presidentit, por jo vetëm, dhe ndaj disa institucioneve të tjera thelbësore për vendin”. Sipas tij, Maxhoranca e re po e fillon me këtë mënyrë shumë të deformuar aktivitetin e saj si maxhorancë. “Presidenti është institucioni më i lartë i vendit, ndaj të cilit duhet se paku të kihet një respekt i thellë, qofte ky dhe vetëm formal. Shqetësimi i Presidencës flet për një sinjal shumë preokupues, që nuk duhet aspak nënvleftësuar dhe që duhet sa më shpejt korrigjuar. Një vend si Shqipëria, që është anëtar i NATO-s, që po përpiqet të jetë anëtare e BE, nuk mund t’ia lejojë vetes të tilla deformime. Presidenti është President i Shqipërisë", përfundoi komunikimi për shtyp i deputetit të PD.