E mbajnë Kaçanikun

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë të dielën fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Kaçanikut.
Kandidati i PDK’së, Besim Ilazi ka marrë më shumë se gjysmën e votave të kaçanikasve dhe kështu ka shmangur një raund të dytë të zgjedhjeve.
Pas Ilazit që ka siguruar 52.92 për qind të votave, është renditur kandidati i AAK’së, Tahir Çaka me 20.30 për qind.
Lëvizja e Albin Kurtit me kandidatin Shukri Luta ka fituar 16.38 për qind.
Më së keqi në zgjedhje kanë dalë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AKR’ja e Behgjet Pacollit.
Partia e Isa Mustafës ka marrë vetëm 5.51 për qind, ndërsa AKR’ja 4.88.
Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga organizatat joqeveritare dhe Komisionit Qendror Zgjedhor, të cilët kanë konstatuar se nuk ka pasur probleme që do të mund ta prishnin procesin zgjedhor.
Zgjedhjet në Kaçanik janë mbajtur pas dënimit të Xhabir Zharkut me tri vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Feston PDK’ja
Ende pa u kumtuar rezultati preliminar nga KQZ’ja dhe organizatat joqeveritare, simpatizantët e PDK’së kanë dalë të kremtojnë fitoren e Besim Ilazit.
Në zyrat e PDK’së në ora 21 ka ardhur Kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka uruar fitoren kandidatit të partisë së tij.
Kryetari i PDK’së, sikurse në Ferizaj, edhe në Kaçanik, ka thënë se fitorja e partisë së tij është barometër i skenës politike të Kosovës.
“Prandaj, kjo është një fitore e demokracisë, është një fitore e fuqizimit të PDK’së, është barometri i skenës politike në Kosovë, është dëshmia se PDK’ja ka një përkrahje shumë të fuqishmë te qytetarëve në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Thaçi, teksa ia ka uruar fitoren Besim Ilazit.
Gjatë gjithë kohës, në zyrat e PDK’së ka qëndruar edhe ish-Kryetari Xhabir Zharku, i cili është përshëndetur me simpatizantët e partisë pas lajmit se partia e tij ka rifituar pushtetin në Kaçanik.
“Kjo është ditë e fitores së demokracisë; ditë e zgjedhjeve të rregullta. Shfrytëzoj rastin t`i përshëndes edhe të gjithë kandidatët e tjerë që ishin në opozitë, të cilët bënë një garë fer dhe tash kemi një rezultat ashtu siç e dëshirojnë qytetarët e Kaçanikut”, ka thënë kandidati i PDK’së, Besim Ilazi.
“Sot nuk ka humbës, por e kemi vetëm një fitues dhe ata janë qytetarët e Kaçanikut, projektet e Kaçanikut europian”, ka shtuar ai.
Hesht opozita
Partitë opozitare, LDK’ja, AAK’ja, AKR’ja dhe Vetëvendosja kanë heshtur pas lajmit se kandidati i PDK’së, Besim Ilazi ka marrë besimin e qytetarëve për të udhëhequr Kaçanikun.
Në zyrat e këtyre partive nuk ka pasur as simpatizantë partiakë, derisa në zyrat e AKR’së, Kjani Berisha ka numëruar bashkë me dhjetë bashkëpunëtorë votat e tij.
Ndryshe, as pas publikimit të rezultateve nga KQZ’ja, partitë opozitare nuk kanë lëshuar ndonjë deklaratë dhe nuk kanë treguar nëse do t`i drejtohen KQZ’së me ndonjë ankesë për parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve.
Megjithëkëtë, KQZ’ja ka njoftuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Kaçanikut, janë mbyllur vendvotimet me kohë, dhe kanë marrë pjesë 11 mijë 253 votues, ose 35.75 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2010, në zgjedhjet e së dielës kanë dalë 3 mijë e 863 votues më pak.
Edhe Demokracia në Veprim, gjatë tërë ditës së sotme, ka monitoruar procesin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kaçanikut, me ç’rast ka informuar opinionin për mbarëvajtjen e tërë këtij procesi.
Probleme teknike
Partitë politikë kanë njoftuar gjatë ditës se ka pasur disa probleme teknike, të cilat nuk do të ndikojnë në procesin zgjedhor në tërësi.
Vetëvendosja ka njoftuar gjatë ditës se PDK’ja u ka dërguar mesazhe telefonike qytetarëve për të votuar kandidatin Besim Ilazi.
Ndërkohë, Demokracia për Zhvillim dhe INPO’ja kanë njoftuar se deri në mesditë janë shënuar disa parregullsi gjatë procesit të votimit në Kaçanik, si votime të dyfishta, probleme në listën e votuesve, votime familjare, problemet me vëzhguesit e subjekteve politike.
D4D;ja dhe INPO’ja njoftuan se në qendrën e votimit 0719D (Kovaçec) vendvotimi 01, një të moshuare (mbi 70-vjeçare) gjatë procesit të kontrollimit të gishtit, bateria ka treguar që votuesja e ka gishtin e spërkatur.
Edhe votimet familjare dhe në emër të dikujt tjetër, si dhe votuesit me asistencë janë raportuar si parregullsi në këtë proces zgjedhor.
Edhe AAK’ja gjatë ditës së diel ka shprehur brengosje për manipulim të zgjedhjeve në vendvotime të ndryshme në komunën e Kaçanikut, kurse Lëvizja Vetëvendosje pretendon se PDK’ja po bën presion mbi votuesit.
“Shtabi Zgjedhor i AAK’së ka vërejtur se janë nxjerrë jashtë mbi 100 fletëvotime nga vendvotimi në shkollën fillore në fshatin Bicaj dhe dyshohet se ato do të keqpërdoren”, ka reaguar AAK’ja.
Ndryshe, Leon Malazogu nga shoqëria civile ka thënë se gjatë ditës ka pasur votime të organizuara të qytetarëve dhe janë bartur nga militantët e ndryshëm partiakë.
Ai ka thënë se këto vërejtje do t`i deponojnë në KQZ.