E mbajnë premtimin
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë finalizuar të mërkurën dokumentin me të cilin u tregojnë autoriteteve të vendit se çfarë kushtesh duhet të plotësojnë për të siguruar udhëtimin e kosovarëve pa viza në zonën Schengen.
Vendimin për përgatitjen e këtij dokumenti të quajtur udhërrëfyes e ka bërë të ditur Komisarja për Punë të Brendshme e Bashkimit Europian, Cecilia Malmstrom përmes një postimi në rrjetin social Twitter. “Jam shumë e lumtur që sot u miratua Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Ky është një hap i rëndësishëm”, ka shkruar Malmstrom.
Po ashtu, është bërë e ditur se ky udhërrëfyes do t’iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës më 14 qershor në kryeqytetin europian. Në këtë mënyrë, zyrtarët e BE’së edhe e kanë mbajtur fjalën e dhënë që udhërrëfyesi do të dorëzohet në fund të pranverës.
Komisari për Zgjerim, Stefan Fule ka folur të mërkurën në një konferencë për media me Zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi. Fule e ka quajtur lajm të mirë vendimin për udhërrëfyesin duke konfirmuar se ai do t’iu dorëzohet institucioneve të Prishtinës në mes të qershorit.
Fule ka thënë se udhërrëfyesi është përafërsisht i njëjtë me atë të vendeve të rajonit.
“Qëllimi i Komisionit ka qenë që derisa e kemi përgatitur këtë proces për nevojat e Kosovës, që ai të jetë i ngjashëm sa më shumë që të jetë e mundur me udhërrëfyesit që më herët janë përdorur me vendet e tjera në rajon”, ka thënë Fule.
Express ka siguruar këtë dokument, ku ndër të tjera BE’ja kërkon që të miratojë ligje në pajtim me ato të Unionit.
“Në kuadër të dialogut të vizave, Kosova duhet së pari të miratojë apo amandamentojë në pajtim me ligjet acquis (ligjet e BE’së) që janë të parapara me këtë udhërrëfyes. Kosova pastaj duhet të implementojë plotësisht këtë legjislacion dhe masat e tjera që specifikohen në këtë dokument”.
Po ashtu, në dokumentin 16-faqesh theksohet se gjithçka do të monitorohet nga ekspertët e BE’së.
“Dialogu për liberalizimin e vizave do të adresojë katër çështje: sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migracionit; rendin publik dhe sigurinë; dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Ky dialog do të zhvillohet veçmas për të lejuar Kosovën që të fokusojë përpjekjet për reforma dhe të përmbushë kërkesat e BE’së. Ritmi i lëvizjes drejt liberalizimit do të varet nga progresi i Kosovës në miratimin dhe implementimin e masave dhe përmbushja e kërkesave që janë të theksuara në këtë udhërrëfyes”, thuhet në dokument.
Po ashtu, thuhet se pasi që të përmbushen kushtet, Komisioni Europian do t’i propozojë Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian heqjen e vizave për Kosovën.
Lajmi për udhërrëfyesin është mirëpritur nga Ministrja e Integrimeve Vlora Çitaku, e cila ka thënë se deri në gjysmën e qershorit do të qëndrojë në Bruksel, nga ku edhe do të sjellë këtë dokument.
Ajo ka sqaruar se Bashkimi Europian me këtë dokument e trajton Kosovën si vend potencialisht anëtar dhe për dallim nga Fule, ka theksuar se metodologjia që është përdorur është e ngjashme me udhërrëfyesit e vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor që tashmë qarkullojnë pa viza.
“Udhërrëfyesi është njëfazor, i ngjashëm me vendet e tjera të Ballkanit. Normalisht që ka specifikat e veta, por ajo që është më e rëndësishme, është metodologjia që është e njëjtë me krejt vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Çitaku në një prononcim për Express, të mërkurën.
“Në udhërrëfyesin për Kosovën, flitet për qytetarët, për “citizens” (shtetas), jo për rezidentë (banorë), siç ka pasur pretendime nga disa, e kështu me radhë. Ajo që është e rëndësishme, është se udhërrëfyesi është njëfazor e jo dyfazor”.
Po ashtu, sipas Çitakut, Kosova në këtë proces trajtohet në kuadër të procesit të zgjerimit të BE’së, ose më saktësisht si vend potencial për anëtarësim.
“Kjo është ajo që i dallon proceset: a është në kuadër të vendeve që janë potencialisht anëtare në grupin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, apo atyre siç janë Ukraina dhe Moldavia. Përfundimisht, përkundër rezistencës që ka pasur nga disa vende anëtarë të BE’së, Kosovës i është dhënë udhërrëfyesi me metodologjinë tipike sikurse vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar Ministrja e Integrimeve.
Gjatë bisedës për gazetën, Ministrja e Integrimeve nuk ka përmendur në mënyrë specifike se cilat do të jenë kushtet më të vështira për institucionet e vendit, në mënyrë që të arrihet lëvizja e lirë në BE.
“Ne kemi një ide të përafërt për sfidat që e presin Kosovën, në këtë rrugëtim dhe sigurisht se luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe emigrimit ilegal, pra azilkërkuesve, do të jenë sfidat kryesore që do t`i ketë Kosova dhe institucionet e saj”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se komunat e Kosovës kanë bërë punë të madhe për të përmbushur kriteret.
“Për këtë arsye, kam vendosur që kur të vij më 14 qershor, të marrë një grup kryetarësh komunash me vete në Bruksel, sepse ata janë pjesë e këtij suksesi të përbashkët. Po ashtu, edhe përfaqësuesit e partive opozitare që nuk kanë dyshuar asnjëherë në përkushtimin tonë për përmbushjen e agjendave tona europiane dhe asnjëherë nuk kanë prezantuar, shkaktuar probleme në miratimin e ligjeve që kanë derivuar nga agjenda europiane”, ka theksuar ajo.
Por pavarësisht se udhërrëfyesi pritet të dorëzohet shpejt, Çitaku nuk e di se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave.
“Kjo varet kryekëput nga përmbushja e detyrave të shtëpisë. Është e rëndësishme që është proces njëfazor, pra, do të jetë proces i ngjashëm me atë të Ballkanit Perëndimor dhe jam e bindur se nëse ne e ruajmë unitetin e brendshëm politik, nëse e ruajmë dinamizmin, ne do të jemi në gjendje në një afat rekord t`i përmbushim kriteret”.
E pyetur që të japë një afat të përafërt për këtë, Çitaku ka thënë se nuk dëshiron që të japë një datë për këtë.