VV me strategji për rritje të pensioneve

Dardan Sejdiu, anëtar i kryesisë së lëvizjes Vetëvendosje, e ka kritikuar sistemin pensional në Kosovë, për të cilin, ai ka thënë se nuk ka qenë efikas, pasi ka anashkaluar një gjeneratë të tërë të pensionistëve që kanë kontribuar me dekada.
“Sistemi pensional në Kosovë këto dhjetë vitet e fundit ka rezultuar të jetë një sistem jo efikas, qoftë në aspektin e shtyllës së parë, duke e anashkaluar gjeneratën e pensionistëve ekzistues, pra kontributet e tyre, të cilat janë bërë në të kaluarën dhe të cilat nuk merren fare për bazë dhe trajtohen si raste sociale, sikurse edhe shtylla e dytë që janë kursimet tona nacionale në Trustin e Kursimeve Pensionale. Pra e kemi një sistem të fragmentuar ku nuk trajtohen njëjtë që të gjithë në sistemin pensional”, ka thënë ai.
Në strategjinë për reformimin e sistemit pensional, Sejdiu ka përmendur edhe futjen e solidaritetit në kontributin pensional, që nënkupton caktimin e kontributit shtesë që llogaritet 3+3 për qind (3 për qind punëdhënësi dhe 3 për qind punëmarrësi) dhe kjo të jetë mbi kontributin që paguhet në Trustin e Kursimeve Pensionale.
Për arritjen e ngritjes së pensioneve, Dardan Sejdiu ka përmendur si një prej mundësive edhe pastrimin e listave të pensionistëve duke shtuar se me këtë nuk do të thotë se u mohohet marrja e asistencës sociale atyre që nuk kanë punuar.
“Pastrimi i listës nënkupton atë që të jemi të sigurt se ata që janë në listë janë pensionistë, pra njerëzit që i meritojnë pensionet. Kanë qenë kontributdhënës, janë mbi moshën 65 vjeçare dhe gëzojnë të drejtën e pensionit. Ata që s’kanë punuar duhet ta kuptojmë se pensioni dhe skema sociale janë dy gjëra të dallueshme. Ajo çfarë kemi ne në Kosovë 12 vitet e fundit është që qeveritë e deritanishme nuk kanë dashur ta trajtojnë problemin dhe i kanë fut të gjithë në të njëjtin kosh”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar edhe investimin, siç ka thënë ai të pavend të mjeteve të Trustit të Kursimeve Pensionale, të cilat po investohen jashtë vendit, e sidomos në ato shtete që viteve të fundit nuk kanë pasur rritje ekonomike. Sejdiu ka pohuar se një pjesë e atyre mjeteve do të duhej të investoheshin në kompanitë strategjike të ekonomisë së Kosovës, siç është Trepça, PTK-ja dhe KEK-u.
Ndërsa Besnik Bislimi nga po kjo lëvizjeje, ka thënë se pensioni është një e drejtë e qytetarëve dhe ai beson se një sistem pensional i qëndrueshëm, solidar dhe i barabartë, do të garantojë stabilitet pensional edhe për gjeneratat e ardhshme.
“Për lëvizjen Vetëvendosje është e qartë se pensionet janë një e drejtë. Lëvizja Vetëvendosje beson se një sistem pensional i qëndrueshëm, solidar, i integruar dhe i barabartë garanton pensione stabile dhe të mjaftueshme për gjeneratat e ardhshme, por në të njëjtën kohë përkujdeset për pensionistët ekzistues. Një sistem i tillë është i domosdoshëm për ne”, ka thënë ai.
Bislimi ka shtuar se trajtimi i deritanishëm i pensionistëve nuk është i drejtë dhe në të njëjtën kohë nuk është as i qëndrueshëm duke marrë parasysh se të gjithë ata që janë të papunë sot do të marrin prapë të njëjtin pension kur ta mbërrijnë moshën 65 vjeçare.
Sipas krerëve të lëvizjes Vetëvendosjes, strategjia e tyre për reformimin e sistemit pensional është bërë në konsultim edhe me pensionistët dhe se ajo strategji do t’i paraqitet edhe Qeverisë së Kosovës. /kosovapress/