E mbrojnë luftën
Mbi 150 ish-ushtarë të Brigadës 121 të UÇK-së kanë deponuar të premten deklaratat e tyre pranë Prokurorisë Speciale, përmes të cilave solidarizohen me ish- ushtarët e UÇK-së të arrestuar nga Policia e EULEX-it, me dyshimin për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Një ditë më parë, 250 ish-ushtarë të kësaj brigade kanë deponuar pranë Prokurorisë Speciale deklaratat e tyre. Deponimi i deklaratave nga ushtarët e tjerë do të vazhdojë edhe javën e ardhshme nga dita e hënë, thuhet në komunikatën për media të ish-ushtarëve të Brigadës 121 të UÇK-së, “Ismet Jashari-Kumanova”.
Krahas kësaj, Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës të UÇK-së, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Parlamenti Studentor dhe OJQ Koalicioni për Demokraci, në takimin e së premtes janë dakorduar që më 29 mars të këtë sërish protesta gjithëpopullore.
“Protesta është gjithëpopullore dhe fillon në ora 12:00. Vendtakimi i protestuesve do të jetë te Fakulteti Filologjik. Nga aty, me moton: “Të gjithë në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së”, do të marshohet deri te Teatri Kombëtar, ku do të bëhet tubimi protestues”, thonë organizatorët.
Për arrestimet e ish-ushtarëve të UÇK-së dhe fletarrestimit për Fatmir Limajn, ka folur edhe presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ai ka thënë se në çdo veprim që bëhet nga ana e gjyqësisë të merret parasysh Kushtetuta e vendit.
Ai këto komente i bëri të premten në një konferencë për media, pas kthimit nga vizitat në Shqipëri dhe Maqedoni, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga ana e EULEX-it, nën dyshimet për kinse krime lufte në Kosovë.
Pacolli ka thënë se nëse arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë konform Kushtetutës, atëherë sipas tij, procedurat gjyqësore duhet të kryhen.
Pacolli nuk ka dashur të flasë shumë për rastin Limaj, me arsyetimin se siç ka thënë ai, ende nuk ka ndonjë akuzë të ngritur për deputetin e Kuvendit të Kosovës.
“Unë kërkoj në këtë situatë që t’i qasemi në mënyrë konstruktive çdo fakti, duhet të kemi parasysh se faktet duhet të jenë të vërteta jo me thashetheme. Në çdo veprim që bëhet nga ana e gjyqësisë të merret parasysh Kushtetuta. Nëse ka vend kushtetues që ata njerëz të ndalen dhe normalisht të kryejnë procedurat, le të kryhen, mirëpo nëse është në pyetje shkelja e Kushtetutës, atëherë të respektohet 100 për qind Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Pacolli.