E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mbyllin me humbje

Shqipëria e ka përfunduar fazën kualifikuese të Botërorit Afrika e Jugut 2010 me humbje të thellë. Djelmoshat e selektorit Josip Kuze, të mërkurën mbrëma u mposhtën nga Suedia me rezultat 4:1.

Suedezët mbyllën gjithçka në pjesën e parë, kur shënuan tri gola, falë pakujdesisë, gabimeve dhe mos-koordinimit të mirë të mbrojtjes shqiptare. Shqipëria nuk luajti dobët. Madje, në pjesën e dytë tregoi lojë më të mirë sesa kundërshtari, por arriti të shënojë vetëm njëherë.

Mbase Suedia e meritoi fitoren, por jo në këtë mënyrë. Nuk bëri lojën e mjaftueshme për të fituar me rezultat të tillë. Goli i parë arriti në mënyrë aksidentale, më pas ne filluam të luanim me topin. Menjëherë arriti goli i dytë, gabim nga ana e jonë, e goli i tretë na dëmtoi shumë. Pjesa e dytë ishte e mirë, nuk luajtëm dhe aq keq. Realizuam golin e parë, me pak fat do të mund ta bënim dhe të dytin, por Suedia ka lojtarë klasi dhe ekip të fortë. Pra, marrë në përgjithësi, ne humbëm si rrjedhojë e gabimeve tona, e jo si pasojë e lojës shumë të mirë të suedezëve, deklaroi pas ndeshjes selektori Josip Kuze, i cili konfirmoi se do të mbetet në krye të Kombëtares shqiptare edhe në ndeshjet kualifikuese për Evropianin 2012.

Çuditërisht, hero i suedezëve ishte mbrojtësi Olof Mellberg, që ishte autor i dy golave. Qendërmbrojtësi i Olympiacos e realizoi golin e tij të parë në minutën e gjashtë me kokë. Më pas, kuqezinjtë luajtën mirë, por ata u befasuan në pesë minutat e fundit të kësaj pjese. Së pari, pas një mosmarrëveshjeje të Canës, Dallkut dhe portierit Ujkani, këtë e shfrytëzoi më së miri Marcus Berg, që shënon për 2:0 (40). Pas dy minutash, Mellberg nga afërsia e realizoi golin e tretë për suedezët, të dytin personal.

Pas një nisme të mirë të pjesës së dytë, në rastin e tij të tretë, Hamdi Salihi e shënoi golin e parë zyrtar në fanellën e Shqipërisë. Sulmuesi shkodran e përcolli mirë një harkim të Skelës nga këndi dhe me kokë e ngushtoi avantazhin vendës, 3:1.

Sulmuesi i Rapid Vienës e pati edhe një rast të qindpërqindtë, kur pas goditjes së tij me kokë, futbollisti vendës Safari, e hoqi topin nga vija e portës.

Edhe pse vazhduan ta mbanin topin në këmbë, kuqezinjtë u befasuan sërish. Pas një kundërsulmi të suedezëve, Anders Svensson e mposhti për herë të katërt portierin Samir Ujkani, i cili megjithatë në pjesën e dytë pati disa pritje të mira. Humbja me rezultat 4:1, ishte më e thella për Shqipërinë në ndeshjet eliminatore për Botërorin 2010.

Smjafton goli i Januzit
Shqipëria U-21 pësoi humbjen e katërt në pesë ndeshje, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U21, që mbahet në vitin 2010. Kuqezinjtë janë mposhtur të mërkurën me rezultat 4:2 nga Bjellorusia në stadiumin Molodechno. Vendësit kanë kaluar në avantazh në minutën e 25-të përmes Pavel Nekhaychik. Më pas, në pjesën e parë për bjellorusët realizuan edhe Andrei Voronkovin (38) dhe Maksim Skavysh (41). Në pjesën e dytë, ishte sërish Andrei Voronkovin ai që shënoi golin e katërt në minutën e 71-të. Ndërsa, për Kombëtaren shqiptare, dy gola u shënuan brenda katër minutash. Së pari shënoi sulmuesi Ahmed Januzi (75), e më pas Vilfor Hysa (78), për rezultatin përfundimtar 4:2.

Grupi 1

Rezultatet
Suedia Shqipëria 4:1
Portugalia Malta 4:0
Danimarka Hungaria0:1

Tabela
1. Danimarka 21
2. Portugalia 19
3. Suedia 18
4. Hungaria 16
5. Shqipëria 7
6. Malta 1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›