E merituam finalen

“Kur luan kundër Barcelonës, duhet të mbrohesh mirë, sepse ata krijojnë aksione ndaj çdokujt. Para se të zhvilloheshin këto dy ndeshje, Barça ishte favorite, sepse ka lojtarë të mëdhenj dhe është kampione në fuqi. Paraqitja ynë ishte me karakter, sidomos në pjesën e dytë, me dëshirën e madhe për të shkuar në Munich. Jam mjaft i lumtur për djelmoshat, e merituan këtë finale”, theksoi trajneri Di Matteo pas ndeshjes për Sky Sport.
Di Matteo shton se ka një ekip të jashtëzakonshëm, ndërsa e arsyetoi edhe kapitenin John Terry, i cili u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë Blues me një lojtar më pak në fund të pjesës së parë dhe tërë pjesën e dytë.
Di Matteo nuk e di nëse do të mbetet në klubin e Roman Abramovichit edhe pas përfundimit të sezonit, ndërsa e përshëndeti edhe punën e paraardhësit të tij, Andre Villas-Boas, për të cilin thotë se e ka mik të mirë.