Me këta njerëz , Prishtina larg Evropës
Pas vetëm katër muajve në postin e trajnerit të Prishtinës, Wolfgang Jerat të hënën detyrën ia dorëzoi trajnerit të ri të bardhekaltërve, Jusuf Tortoshit.
Bashkë me Tortoshin, ai hyri në zhveshtoret për t’u përshëndetur me tashmë ish futbollistët e tij. Derisa po e bënte një gjë të tillë, Jeratin e kapluan emocionet. U mërzit shumë. Por, edhe u nervozua tepër.
Kjo pasi gjatë kohës sa po përshëndetej me lojtarët, dy nënkryetarët, Afrim Muçiqi dhe Ahmet Kurtolli, por edhe drejtori Sokol Krasniqi, u futën brenda dhomës së zhveshjes.
Kjo nuk i pëlqeu gjermanit, posaçërisht për faktin se Muçiqin e Kurtollin i konsideron si vendimmarrësit kryesorë që e shkarkuan, siç thotë ai, pa kurrfarë arsyeje nga detyra.
“Sikur të ishin si Muçiqi të gjithë kosovarët, do të thosha se Kosova nuk e meriton Evropën. Por, kur kujtoj se shumica e kosovarëve nuk janë si ai, por si evropianë të vërtetë, them se Kosova e meriton Evropën”, ka deklaruar Wolfgang Jerat për Express.
Ai theksoi se Prishtina i ka hyrë në zemër, por frikësohet se nën udhëheqjen e kryesisë aktuale vështirë se do të vijnë ditë të mira për ngjyrat bardh e kaltër.
“Më sollën këtu për ta pru një frymë evropiane, por me njerëz si Muqiçi është e pamundur”, pohoi Jerat, sipas të cilit presidenti Remzi Ejupi është zyrtari i vetëm që meriton pozitë të lartë në klubin më të famshëm kosovar.
Kontrata me Prishtinën, gjermanit qe dashtë t’i skadonte në korrik, por ai u shkarkua të dielën shkaku i rezultateve të dobëta.