Barça, teston vëllezërit Ajeti

Kampioni aktual i Evropës dhe i Spanjës shumë shpejt në radhët e veta mund të ketë dy futbollistë kosovarë. Bëhet fjalë për vëllezërit binjakë Albian dhe Adonis Ajeti, të cilët aktivizohen te skuadra zvicerane Basel.
15 vjetarët me paraqitjet e shkëlqyeshme kanë rënë në sytë e akademisë së klubit katalan, e cila menjëherë i ka ftuar ata për disa ditë rresht në kampin e tyre për t’i parë edhe nga afër.
“Albiani dhe Adonisi kaluan shumë mirë në testet që patën në Barcelonë dhe lanë përshtypje shumë të mirë. Por, konfirmimin dhe interesimin që na bënë neve si prindër udhëheqja e klubit të Barcelonës gjatë kohës kur ishim atje, shumë shpejt u konfirmua me kërkesë zyrtare edhe pranë klubit të Baselit”, ka konfirmuar babai i dyshes kosovare Afrim Ajeti, për ueb faqen albinfo.ch.
“Kjo ofertë edhe për ne si familje, por edhe për vetë klubin e Baselit është një befasi për të mirë dhe do të thosha një pozitë edhe e vështirë për ne, sepse imponohet fakti që të merret një vendim i rëndësishëm vetëm për pak ditë”, shton ai.
Ai ka treguar se kërkesa e parë e Baselit është që të paktën binjakët t’i mbushin 16 vjeç dhe të bëjnë menjëherë kontratën profesionale. Sipas Ajetit, për një gjë të tillë Barcelona nuk po pret, pasi ka konfirmuar gatishmërinë për të përmbushur çdo kërkesë të Baselit.
“Gjithçka mbetet për t’u parë në javët e ardhshme se si do zhvillohen negociatat në mes të Barcelonës dhe Baselit, pasi ne e dimë qëndrimin e Baselit se nuk ka dëshirë të nxjerrë lojtarë në moshë kaq të re jashtë, të cilët vetë i ka përgatitur”, u shpreh Afrim Ajeti
Vëllezërit binjakë Albiani dhe Adonisi janë pjesë e rregullt e përfaqësueses U-15 të Zvicrës, derisa interesimi nga skuadrat tjera të mëdha nga Evropa nuk mungon.
“Në fakt, para Barcelonës një kërkesë të tillë në Basel kishin bërë edhe klube të tjera të njohura, si: Manchester United., Bayern Munchen, Manchester City, M’delgladbach dhe ekipe të tjera”, theksoi Ajeti i cili ka prejardhje nga Besiana.
Arlind Ajetin e kërkon Villarreali
Përveç binjakëve Albianit dhe Adonisit, familja Ajeti ka edhe një fëmijë tjetër, i cili po ashtu është talent. Ai është 18 vjeçari Arlind Ajeti, i cili aktivizohet me ekipin e parë të Baselit.
Babai i tij, Afrimi tregon se edhe për Arlindin kanë arritur oferta nga Spanja. Sipas tij, interesim për birin e tij të madh ka shprehur ekipi nga La Liga, Villarreal.
Oferta nga Barcelona dhe Villarreali do t’ia mbushin mendjen familjes Ajeti që të largohet nga Zvicra, ku kishin emigruar në vitet e 90’të për ta nisur një jetë të re në Spanjë.