E Shtunë, 31 Tetor 2026

E moshuara tregon tmerrin e përdhunimit: Tani jam kufomë mes të gjallëve

violence-640x480Historia e përdhunimeve në fshatin Nartë ka trazuar median, por policia duket se nuk e ka vënë shumë ujin në zjarr.

Banorët thonë se kanë nisur që të flenë me levë pas dere, ndërsa edhe pleqtë thonë se ndjehen të frikësuar.

Dyshohet se është vetëm një përdhunues, që piketon gratë e moshuara, që jetojnë vetëm në banesa.

Njëra prej viktimave, 75 vjeçarja Eftali N, rrëfen për Shqiptarja.com tmerrin e përdhunimit.

Isha në gjumë të parë, kish kaluar ora 1 e natës. Veç kur pashë një njeri me një çorape të zezë në kokë që erdhi tek krevati. Nuk dëgjova zhurmë, pse edhe nuk dëgjoj mirë. Kishte 4 çorape në kokë dy të gjata dhe dy të shkurtra.

Nuk fliste fare, a thua se ishte një fantazmë. Pastaj ushtroi dhunë në fytyrë. E tmerruar unë thërrisja pa ndërprerë emrin e kunatës, që jeton e vetme edhe ajo 4-5 metra larg meje. Ishte një burrë mesatar rreth të 50-at. I afrova edhe të holla, por nuk i mori, thotë ajo.

E pyetur për reagimin, ajo thotë: O Zot, po ku kisha fuqi unë të bëja veprime të tilla. Unë mendova vetëm vdekjen, asgjë tjetër. Më bëri copë nga fytyra dhe u largua. U ngrita dhe thirra kunatën, pamë që kish hequr hekurat e penxheres së aneksit. Unë kisha çiften e burrit që është ndarë nga jeta pak kohë më parë dhe më rroftë që e mbaj në shtëpi. Por flas kot, se unë dhe asnjë grua që është bërë nënë, nuk mund të vrasë njerëz edhe pse këto mostra nuk duhet të jetojnë në shoqëri. Por unë kam një peng, që dua ta them.

Në Nartë kanë ndodhur së paku edhe 13-14 raste, dhe të them të drejtën, për vetë pozicionin që ka shtëpia ime, i kisha thënë kryetarit të Komunës z. Fredo Berberi. Të keqen nëna ne jemi dy gra këtu, në periferi, në mes të pyllit, na vendos një roje, se e paguajmë vetë. Pasi ndodhi kjo, iu vërsula me të keq kryetarit dhe i thashë: Çfarë shteti jeni, more djalë? Ndodhi e para, e dyta e treta deri tek e dhjeta, çfarë mase keni marrë?

Kurrë nuk ka ndodhur një gjëmë e tillë. Në kohën e Enverit, jo të prekte njeri, por matej mirë edhe kur fliste me gojë. Ishim të sigurt. Ishte diktator, por kishte siguri. Unë kam bërë shkollën në Tiranë dhe venim e vinim me kokë lart. Po në këtë demokraci, çfarë fituam? Turpin, që nuk lahet në të dyja dynjatë. Më besoni, pas kësaj që më ndodhi, unë jam një kufomë mes të gjallëve./ep

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›