E Diel, 1 Nëntor 2026

Biberaj: Ia propozova Berishës para 8 vitesh ndarjen e mandatit të deputetit nga ai i ministrit

Aleksander-Biberaj-300x216Aleksandër Biberaj, ish- deputet i Partisë Demokratike, ka treguar se para tetë vitesh, kur PD sapo erdhi në pushtet, ai i kishte propozuar kryeministrit Sali Berisha ndarjen e mandatit të deputetit me atë të ministrit.

Së pari, nuk dëshiroj aspak të ndërhyj në debatin politiko-publik lidhur me ndarjen e mandateve legjislative nga ato ekzekutive (e thënë më thjesht: nëse je ministër, nuk mund të jesh edhe deputet dhe anasjelltas), pasi gjykoj se ky është një debat dhe vendim që i përket maxhorancës së re të majtë dhe nuk është punë e imja.

Së dyti, thjesht desha të risjell në kujtesën politike, por edhe atë publike, se ky propozim ka një histori të paktën 8-vjeçare. Pas fitores së PD-së dhe aleatëve të djathtë në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PD-së në shtator 2005, me cilësinë e deputetit dhe të anëtarit të kryesisë së PD-së, i kam propozuar kryeministrit Berisha (njëkohësisht edhe kryetar i PD-së në atë kohë) që të bëjmë ndarjen e mandateve legjislative nga ato ekzekutive, me këto argument:

1. Të mos kemi përqendrim të pushtetit tek një grup i vogël njerëzish.

2. Të mos kemi një qeveri të pakontrollueshme.

3. Të kemi njerëz qe do të mbajnë partinë hapur, do të vazhdojnë të punojnë për PD-në dhe të drejtojnë PD-në duke mbajtur kontaktet me demokratët dhe elektoratin dhe

4. Të kemi mundësi të motivojmë sa më shumë politikanë nga ndarja e mandateve, sidomos të rinj.

Propozimi im u mirëprit dhe u përkrah formalisht nga z. Berisha, por fatkeqësisht nuk u realizua asnjëherë.

Që në momentin e propozimit vura re portretet e ministrave dhe drejtuesve të PD-se që u nxinë, por nuk e vrava shumë mendjen, pasi propozimi im ishte parimor, dhe nuk kishte lidhje me asnjë individ.

Se çfarë ndodhi gjate 8 viteve në vazhdim të qeverisjes së PD-së, gjykimin e jep gjithsecili prej jush, por ajo që dihet tashmë është se Shqipëria u drejtua nga një grup tepër i vogël njerëzish që ishin vetë qeveria, ishin po vetë Parlamenti, ishin po vetë edhe PD, grup që nuk jepte llogari para askujt në botë. Ky grup shumë i vogël njerëzish grumbulloi një superpushtet të pakufizuar duke uzurpuar të gjitha pushtetet në Shqipëri, krijuan superpasuri nëpërmjet korrupsionit pa kufi, u bënë superarrogantë dhe superprepotentë, saqë as deputetëve të PD-së nuk u hapnin më telefonin, mbyllën për tetë vite dyert e PD-së duke iu kthyer shpinën demokratëve dhe elektoratit, u shkëputën totalisht nga realiteti shqiptar, elementë këto që çuan natyrisht në rezultatin katastrofik të 23 qershorit, më i dobëti i historisë së ekzistencës së PD-së.

Parë në këtë këndvështrim maxhoranca e re me 84 mandate, e drejtuar nga Edi Rama dhe Ilir Meta, bëhet e frikshme, shkruan Biberaj në FB./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›