E Diel, 1 Nëntor 2026

E para e virtuozëve



Është hera e parë që pas 17 vjetëve, ajo sot i rikthehet atij “cepi” të skenës që e plotësoi aq sa të mund të përballonte një tjetër realitet, jetën e përtej Adriatikut. Fatlinda Thaçi përbën njërën prej të parëve “virtuozë” të ansamblit të hershëm artistik shqiptar, udhëhequr nga dirigjenti Zhani Ciko. Dikur zotëronte vetëm instrumentin e violinës, ndërsa sot pas shumë kohësh Thaçi krenohet me bankën ku mësoi shtatë notat universale, si një koncert maestër në Milano, aty ku me mjaft vështirësi na tregon se përgjegjësia e të drejtuarit një orkestër me 60 artistë në dhe të huaj, ka një domethënie të jashtëzakonshme

Rikthimi i një retrospektive në freskinë rinore. Është hera e parë që pas plot 17 vjetëve, ajo sot i rikthehet atij “cepi” të skenës që e plotësoi aq sa të mund të përballonte një tjetër realitet, jetën e përtej Adriatikut. Fatlinda Thaçi përbën njërën prej të parëve “virtuozë” të ansamblit të hershëm artistik shqiptar, udhëhequr nën drejtimin e dirigjentit Zhani Ciko. Dikur zotëronte vetëm instrumentin e violinës, ndërsa sot pas shumë kohësh Thaçi krenohet më bankën ku mësoi shtatë notat universale, si një koncert maestër në Milano, aty ku me mjaft vështirësi na tregon se përgjegjësia e të drejtuarit një orkestër me 60 artistë në dhe të huaj, ka një domethënie të jashtëzakonshme. Por, jo vetëm kjo, që në ditën kur shkeli tokën italiane është ndjerë e paragjykuar nga stereotipi tashmë i shndërruar ndoshta në një klishe e përditshmërisë, fjalisë “është shqiptar”. E përtej kësaj, ja cili është reagimi i violinistes, e cila sot është pjesë e “Virtuozëve të rinj”, si një grup artistësh që e ka zanafillën e krijimit 20 vjet më parë, në skenën shqiptare.

Nesër rikthehen në skenë një nga grupet më të njohura të muzikës klasike shqiptare, “Virtuozët e rinj”, aty ku jeni pjesë e tij artistike, si ndiheni?

Ndihem shumë mirë, shumë e emocionuar. Një nga arsyet që më bën të përmend këtë lloj ndjesie është edhe fakti që kam takuar kolegët e mi, të cilët kam vite që nuk i kam kontaktuar. Përveç kësaj, ndihem e emocionuar edhe sa i përket takimit tonë artistik në skenë pas shumë vitesh. Është një takim shumë i rëndësishëm dhe e vlerësoj për këto dy arsye që sapo theksova më lart, gjë që më fal një emocion të jashtëzakonshëm. Shpresoj që koncerti të shkojë mirë, ashtu siç ne e kemi planifikuar dhe për këtë ndihem optimiste, duke u nisur edhe nga niveli i përfaqësuesve të “Virtuozëve të rinj”, apo edhe nga karakteri ynë i fortë dhe romantik.

Pas sa vitesh ktheheni në Shqipëri, pasi mësova që aktivitetin juaj artistik e keni të vendosur në Milano të Italisë?

Kthehem në Shqipëri pas tri vitesh, por gjithnjë për të takuar prindërit e mi. Megjithatë, mund të shtoj se ka jo pak, por mbi 17 vite që nuk kthehem për të bërë një koncert të posaçëm. Kjo është hera e parë që i rikthehem skenës shqiptare pas kaq shumë vitesh, dhe për këtë unë jam jashtë mase e emocionuar dhe e prekur njëkohësisht.

Një rikthim pas 17 vitesh, si po e përjetoni këtë fakt?

Po e përjetoj me shumë gëzim dhe mbi të gjitha jam shumë e qetë, sepse kam shumë besim tek niveli i orkestrës, niveli i shoqërisë sime.

Sapo i jeni rikthyer skenës shqiptare të Teatrit të Operës dhe Baletit, çfarë keni gjetur të ndryshuar që prej ditës që e latë?

Nuk mund të dalloj diçka të veçantë, sepse unë kam vetëm dy ditë që kam ardhur në Shqipëri. Por gjithsesi mund të them se ka mbetur ajo krenari, cilësi dhe sensibilitet për muzikën, siç e kam lënë unë. Në Milano mënyra e të luajturit të muzikë ka një tjetër kulturë dhe mënyrë, ndërsa në sigurisht i përshtatemi mënyrës sonë romantike, të fortë dhe shumë kreative. Këto janë veti që vërtet na dallojmë dhe janë pikërisht elementët që kam lënë dhe sërish i kam gjetur në tabanin artistik të këtij institucioni. Më vjen mirë për këtë. Më ka kthyer shumë vite mbrapa në kohë kur unë isha shumë e vogël në moshë, këtu në Tiranë, në mënyrën tonë të të rënit, instrumentit tim të violinës. I binim në një mënyrë të fortë dhe sidomos me shumë karakter.

Sapo më përmendët një krahasim të shpejtë mes kulturës italiane dhe asaj shqiptare. Cili është dallimi më i madh sipas jush, mes këtyre dy kulturave fqinje në artin e muzikës që ju lëvroni?

Është relative. Varet sidomos nga historia e vendit, nga mënyra se si njeriu rritet. Unë vij nga liceu ynë artistik, një shkollë shumë e respektuar në Milano, kështu që ne kemi atë mënyrën tonë të të rënit, me karakter dhe cilësi, jo se jashtë nuk është, por ato kanë një mënyrë më të butë, klasike dhe Barok. Kanë shkollën e tyre më të lehtë jo nga ana virtuozistike, por sa i përket anës së harqeve. Natyrisht, duke qëndruar në qytetin italian, i jam përshtatur krejtësisht shkollës së tyre, por pa harruar ato që kam mësuar këtu. Më shërbejnë jashtë mase dhe vazhdojnë të më shërbejnë akoma për të krijuar diferencën mes vendit tonë dhe atij të Milanos. Është një kompletim që i kam bërë vetvetes, në karakterin cilësor, në forcën shqiptare, me delikatesën e muzikës klasike.

Çfarë ju ka shtyrë për të zhvilluar karrierën tuaj artistike në Itali dhe jo këtu?

Unë kam ikur nxënëse. Kam fituar një bursë studimi, kështu që idetë e mia ishin ende të paqarta. E konsideroja veten me fat për faktin që unë fitova një bursë studimi, sepse në atë kohë ishte shumë e rrallë një gjë e tillë, kështu që thjesht mua m’u dha mundësia dhe unë e shfrytëzova atë. Me kalimin e kohës, duke bërë konservatorin, orkestrën, arrita të gjej vetveten. Pra ishte thjesht një bursë studimi, e nga kjo më pas lindi përvoja ime e shumë të tjera.

A e keni menduar ndonjë herë që menjëherë pasi të mbaroni studimet të riktheheshit në Shqipëri dhe jetës artistike?

Po, kam pasur ide që të vija këtu, më tepër prej prindërve të mi, si dhe për kolegët po ashtu. Por situata e atëhershme nuk ishte shumë e mirë, në Tiranë puna ishte e pakët dhe pa perspektivë për të ardhmen, pasi kur studion në një degë të caktuar, është normale që ne shohim drejt një perspektive, gjë që këtu nuk e shikoja. Atë e shikoja më tepër aty ku unë jetoja. Mendoj se bëra një zgjedhje të mirë. Jam shumë krenare për origjinën time, por jeta ime është atje në Milano.

A jeni ndjerë e paragjykuar mes përfaqësuesve të tjerë në orkestrën italiane?

Gjithmonë jam ndjerë e paragjykuar.

Si keni reaguar?

Fillimisht normalisht nuk reagoja mirë, sepse mërzitesha, por me kalimin e kohës njeriu mësohet edhe me këtë lloj situate. Ka shumë njerëz të ulët të cilët shpesh nuk arrijnë të të kuptojnë. Por ka edhe nga ata që më vonë të njohin dhe arrijnë të ndryshojnë mendim, kështu që, njeriu duhet t’i lërë vend vetes gjithnjë, kudo që të jetë. Pastaj, të gjithë jemi të huaj në këtë botë dhe e rëndësishme është të bëjmë mirë, denjësisht dhe me cilësi detyrën që ka në jetë.

Cili është roli juaj në Milano?

Jam violinë e parë dhe koncert-maestro. Është një rol që e kam fituar këtë vit. Është sa i bukur, por njëkohësisht edhe i vështirë. Përveçse një rol, është edhe një përgjegjësi humane, sepse të rrish me 60 persona nuk është e thjeshtë. Mendoj se të kesh një kualitet të lartë për muzikën dhe gradualisht të krijosh një kualitet human, vetë për t’u qëndruar sa më pranë secilit prej të 60-ve.

A ju pëlqen ky rol?

Po, sigurisht që roli më pëlqen. Falë tij, unë mësoj çdo ditë elementë të rinj.

Është një arritje profesionale për ju, si e keni pritur vendimin e eproreve tuaj në këtë sens?

Si kudo ka edhe pro, por edhe kundër, e përfundimisht pëlqimi i shumicës është më e favorizueshme. Për rolin tim më të ri ka votuar shumica e orkestrës, e për këtë ndodhem këtu ku jam edhe sot.

Mes kundërshtuesve të rolit tuaj të ri të koncert-maestros dhe si violinë e parë, a mendoni se janë nisur nga stereotipi i faktit që pavarësisht gjithçka tjetër, vini nga Shqipëria?

Mundet, por secili mundohet të ecë përpara me forcat e tij dhe çdo njëri prej nesh i mendon gjërat e tij sipas një mënyre krejt specifike. Mua personalisht nuk më intereson mendimi i atyre që janë kundër. Më intereson të ecë përpara, gjithnjë në kërkim të një pike sa më të lartë të karrierës sime profesionale.

Si e pritët ftesën e drejtorit artistik të TKOB, i cili është njëkohësisht edhe dirigjenti i ansamblit të “Virtuozët e rinj”, Zhani Ciko?

Isha shumë e lumtur, që profesori më telefoni për këtë ftesë. Jam e lumtur që ai u kujtua për mua dhe e nderuar gjithashtu.

Çfarë do të thotë për ju të jeni pjesë e “Virtuozëve”, le ta themi?

Është një nder i madh.

Bashkë me rikthimin tuaj, cilët do të jenë elementët e rinj që do të sillni në skenë nesër në mbrëmje?

Pjesët virtuoze janë po ato që kanë bërë, ndërsa sa i përket muzikës së dhomës do të sjellim Çajkovski, Rosini, të cilët janë pjesët tona të përhershme. Si elementë të rinj mund të konsideroj rikthimin e pjesëve të virtuozëve pas shumë vitesh.

Le të rifreskojmë pak kujtesën. I mbani mend udhëtimet bashkë me “virtuozët” e tjerë jashtë vendit? Po çmimet me të cilët jeni kurorëzuar?

Tek “Virtuozët e rinj”, unë kam qenë vetëm në vitet e para të aktivitetit të tij. Por për aq sa kam qenë, ne kemi shëtitur kudo dhe në çdo vend që shkonim merrnim çmime, si në Itali, Greqi, Austri etj. Kanë qenë vite të jashtëzakonshme. Kemi marrë shumë medalje, çmime, programe të ndryshme, gazetat që kanë shkruar për ne, i kam të gjitha dhe i ruaj të gjitha me shumë delikatesë, edhe sot.

Më thoni njërin prej çmimeve që ju ka gëzuar më tepër? Si e mbani mend atë ditë?

Është çmimi që kemi marrë në Prevezë, në Greqi. Në të vërtetë, nuk e mbaj mend mirë, por mund të them se në atë moshë të vogël që gjendesha në atë periudhë më bënte të lumtur fakti që ne arritëm të kapërcenim kufijtë, gjë që ishte një nga rregullat më të rrepta të sistemit. Profesor Zhani ka qenë i pari që ne muzikantëve na dha një mundësi të jashtëzakonshme, sepse ishte shumë rëndësishme se çfarë bëhej në atë kohë edhe tek ne, në Shqipëri. Kështu që ai meriton një falënderim të jashtëzakonshëm.

Më dalluat njërin prej çmimeve që ju ka entuziazmuar më shumë, në Prevezë. A e mbani mend se çfarë kishit veshur atë ditë?

Realisht jo, nuk e mbaj mend, pasi kanë kaluar shumë vite. Por mund të them se në përgjithësi ne përdornim divizën që kishin përgatitur posaçërisht për neve. Ishte një këmishë e bardhë, me fund të zi dhe çorape të bardha deri tek gjuri. (qesh). Kjo ishte një veshje që të gjithë e kishin njësoj. Vetëm këtë mbaj mend, asgjë më shumë.

Pasi jeni zhvendosur në Itali, a i keni ruajtur kontaktet me pjesën tjetër të grupit?

Me pak persona kam mbajtur kontakte, ndërsa tani që kam ardhur i kam grumbulluar të gjithë numrat e tyre të telefonit dhe do t’i rigjeneroj edhe një herë kohët tona.

Cila është gjeografia e aktiviteteve tuaja në Itali?

Roli i koncert-maestros, si dhe këtë verë do të përgatis “Stinët e Vivaldit”, dhe të Piacolos në orkestrës ku unë gjendem aktualisht, apo një seri kuartetesh, Verdi dhe Bethoveni. I kushtoj jashtë mase rëndësi muzikës së dhomës, e cila i përket asaj orkestre që unë jam, kështu që kjo është detyra më e rëndësishme për mua.

Kush ju ka mbështetur më së shumti në formimin e karrierës suaj?

Sigurisht që është merita e prindërve të mi, por im atë ka qenë ai që më ka mbështetur jashtë mase, ndërsa në Itali kam ecur me forcat e mia, derisa takova bashkëshortin tim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›