“Triumf”, shkatërrohet rrjeti i trafikantëve, në pranga 14 persona
Një grup kriminal prej 14 vetash, i cili merrej me trafikimin e qenieve njerëzore, është shkatërruar ditën e djeshme nga policia shqiptare. Strukturat e Krimit Ekonomik në Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Fier, finalizuan me sukses operacionin “Triumf”, pas rreth tetë muaj hetimesh. Sipas burimeve nga policia, aktiviteti i këtij grupi kriminal shtrihej në qytetet Tiranë, Elbasan, Korçë, Ersekë, Përmet dhe Fier, duke siguruar pasaporta, viza dhe dokumente për kalimin e paligjshëm të kufirit në shtetin grek të shtetasve shqiptarë, duke korruptuar individë të veçantë, duke shfrytëzuar dhe përdorur mjete transporti dhe ambiente strehimi të përkohshme. Koordinimi i strukturave të policisë për realizimin me sukses të këtij operacioni është kryer nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin e Hetimit të Krimit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të katërmbëdhjetë personat e arrestuar janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë.
Hetimi
Agjentët e policisë kishin tetë muaj që kishin nisur hetimet për veprimtarinë e grupit që merrej me trafikun e qenieve njerëzore.
Sipas policisë, hetimet për këtë operacion kanë filluar në muajin maj të vitit 2008, duke përdorur metodat speciale të hetimit.
Aktiviteti i këtij grupi kriminal shtrihej në qytetet Tiranë, Elbasan, Korçë, Ersekë, Përmet dhe Fier. Anëtarët e saj vepronin duke siguruar pasaporta, viza dhe dokumente për kalimin e paligjshëm të kufirit për personat që synonin të kalonin në shtetin grek. Ata kishin arritur që të korruptonin individë të veçantë, kanë shfrytëzuar dhe përdorur mjete transporti, si dhe ambiente strehimi të përkohshme. Personat e arrestuar akuzohen për kryerjen e veprave penale të “falsifikimit të pasaportave dhe vizave” dhe “fhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Arrestimet
Strukturat e Krimit Ekonomik në Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit. në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Fier, finalizuan me sukses operacionin “Triumf”, ku vunë në pranga 14 persona. Nëntë prej personave të arrestuar ishin nga Tirana. Në prangat e uniformave blu ranë Alfred Çikani, Luan Klosi, Ilir Balliu, Dashamir Halilaj, Korab Lama, Myftar Prengezaj, Ardian Berisha dhe Përparim Lama. Për këta persona u dha masa arrest me burg nga Gjykata e Tiranës. Ndërkohë me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u ndaluan Fatmir Vukaj, Thanas Todhri, Astrit Hasa, Ramis Shahini, Fatmir Tato dhe Gurali Bardhi. Gjatë shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të anëtarëve të këtij grupi, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale 16 copë celularë, si dhe dokumente të falsifikuara që implikojnë këta shtetas në veprimtarinë kriminale.
Personat e arrestuar
Alfred Çikani, 44 vjeç
Luan Klosi, 36 vjeç
Ilir Balliu, 26 vjeç
Dashamir Halilaj, 28 vjeç
Korab Lama, 38 vjeç
Myftar Prengezaj, 60 vjeç
Ardian Berisha, 38 vjeç
Përparim Lama, 46 vjeç
Fatmir Vukaj, 40 vjeç
Thanas Todhri, 50 vjeç
Astrit Hasa, 36 vjeç
Ramis Shahini, 42 vjeç
Fatmir Tato, 42 vjeç
Gurali Bardhi, 46 vjeç