Vetëm Drita, pa pudër
Aktorja Drita Pelingu ka mbyllur këtë fundjavë karrierën e saj artistike me monodramën “Rouz” të Martin Sherman. Për aktorë të tillë që kulmet e karrierës i kanë kaluar nën diktaturë, që duhej medoemos të mbushnin lirinë me ideologjinë, përballja e sotme është realisht një përrallë. Si sfidë dhe talent. E pyetur para shfaqjes se me çfarë mund të identifikohej jeta e saj, cili emër i ka dhënë fuqi, ajo ka përmendur Buden, tek filmi ultrakomunist “Kur hidheshin themelet” - ndërsa në këta 18 vite demokraci emri çifut Rouz e komplekson këtë portret. Cila do të mbahet mend në 62 vitet e saj të karrierës? Për regjisorin Bujar Alimani, që ka eksperiencë filmike, duhet kuptuar se ka qenë një risk puna me aktoren 82-vjeçare - për arsye jashtë artistike.
Rouz ka një peshë sa historike, duke na rikthyer në eksodin hebrenj nga kujtimet e saj, po ashtu ka dhe një perceptim intim, tepër femëror që për teatrin tonë duhet pranuar se janë të rralla këto lloj rrëfimesh, sidomos në monodramë.
Ndonjë mund të ketë smirën se aktorja Drita Pelilngu mori një barrë që nuk i takonte për ta mbyllur karrierën. Është çështje moshe. Por përjashtime të tilla lejohen duke pasur parasysh adaptimin e pjesës që ka zgjedhur regjisori Alimani, një grua e moshuar e dramës, që nuk besojmë se në vepër është më e freskët se mosha e aktores sonë në skenë. Për t’ia kuptuar dridhjet e duarve të gruas së veprës, për të kuptuar se si harron nga mosha, për t’ia kuptuar zërin e frikshëm, si të një fëmije kur tregon, për ta ndjerë të dridhurën e zemrës nga emocionet kur i kthehet së kaluarës - nuk besojmë se do të ndodhte ky fenomen në zërin e një aktoreje më të re, e të mbuluar me pudër.
Se ç’ngjet me historinë e një dramë, ne kemi boll raste në skenën e teatrit ku aktorët më shumë ulërasin e bërtasin, dhe fjala na jepet në çjerrje e lart. Në këtë krahasim Drita Pelingu bisedoi, shpërtheu hera-herës, me publikun. Një zë i qetë, ndoshta pak i ulët për dëgjuesit në fundin e radhëve të sallës, por dëgjuam dridhjet emocionale. Ja nga jeta e Rouz, ja nga emocionet e vetë aktores 80-vjeçare - më mirë atë grua të dramës së Sharminit nuk do ta kishim kuptuar.
Na u dhanë dy histori njëkohshëm. Një jetë e brendshme e Drita Pelingut, një aktualitet jo aq indiferent dhe për një publik si ky i yni, lufta e hakmarrjes dhe dhunës. Historia që riciklohet nga një eksod, që përndjek popujt e vuajtur, një mishërim simbolik, por dhe aktual i hebrenjve.
Afro një orë e gjysmë Drita Pelingu, ndonëse në një tekst të gjatë dramaturgjik, i mbijetoi kësaj historie. Kjo mjafton për ta futur në historitë e “përrallave”, dhe për të kujtuar brezin që i shpërdor talenti, që luajti në moshën 82-vjeçare, vetëm Drita, pa rininë që të jep pudra.