E pickon gjarpri, vdes fëmija 6 vjeç në Korçë
KORÇË - Një fëmijë 5 vjeç ka vdekur si pasojë e pickimit të gjarprit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e shtunë në fshatin Laminot të Korçës. Pas ndihmës së parë në spitalin e Korçës mjekët e kanë nisur për në Spitalin e Tiranës, por rrugës, 5 vjeçari ka ndërruar jetë.
I mituri me inicialet V.B. bashkë me të vëllanë kanë qenë duke ecur përmes një livadhi për të shkuar në rezervuar për tu larë, kur është pickuar.
"Fëmija është dërguar menjëherë nga të afërmit në spitalin e Korçës, ku ka marrë edhe ndihmën e parë në sallën e Reanimacionit", bën të ditur policia me anë të një njoftimi.
Mjekët vendosën që pasditen e të shtunës ta transportonin 5 vjeçarin në Tiranë për ti dhënë një ndihmë më të specializuar. Rrugës për në kryeqytet fëmija ka vdekur dhe është kthyer mbrapsht në Korçë.
"Gjatë këqyrjes në pjesën e kurrizit të këmbës së majtë të fëmijës u konstatuan tre dëmtime në formë gërvishtje me gjatësi 0.1 mm, karakteristikë e kafshimit të gjarprit, ndërsa nuk janë konstatuar dëmtime të tjera në pjesë të trupit", bëjnë të ditur mjekët.