KQZ debate për ankimimin e PDI, Gjonçaj: I jashtëligjshëm
TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë sot në shqyrtim ankesën e Partisë sç çamëve, e cila kërkon shpalljen të pavlefshme të rezultatit zgjedhor në disa qendra votimi të Qarkut Fier.
Kjo ankesë gjeti mbështetjen e përfaqësuesit ligjor të PD-së, i cili i kërkoi komisionit marrjen parasysh të ankesës, sepse është e pajisur me prova. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj e kundërshtoi ankimimin si jashtë procedurës dhe afateve ligjore, duke kërkuar pushimin e gjykimit të çështjes. Sipas tij kontestimet për Qarkun e Fierit janë pranë shqyrtimit në Kolegjin Zgjedhor, i cili do të marrë vendim ndaj ankesave për këtë zonë zgjedhore.
Anëtarët e KQZ pasi dëgjuan palët pritet të marrin edhe një vendim ne lidhje me këtë çështje. Qarku i Fierit, një nga zonat me problematike në zgjedhjet e fundit vazhdon të ngelet në qendër të debateve për shkak të ankimimeve të shumta të partive.
Një javë më parë KQZ pranoi kërkesën ankimore të PS-së për rinumërim dhe rivlerësim të votave në disa KZAZ të qarkut Fier. Pas rinumërimit në KQZ të disa kutive tabela e rezultateve për këtë Qark ndryshoi ,duke i dhënë një mandat PS-së, nga 8 në 9 mandate.
Ndërsa objekti i ankimimit të PDI-së është për shpalljen të pavleshme të zgjedhjeve në QV-në me nr. 3185, 3188 dhe 3196 të KZAZ-së nr. 20 dhe në QV-në 3006 të KZAZ-së nr.18.