E presin në fyt të riun

TIRANË - Sherri për një femër dhe gjendja tepër e rënduar nga alkooli mësohet të kenë qenë shkaku i një plagosjeje të rëndë të një 22-vjeçari para dy netësh. Sokol R. është prerë në fyt nga një shishe e thyer nga bashkëmoshatari i tij, tashmë i arrestuar, Taulant Spahiu, lindur dhe banues në Tiranë. Ndërkohë që sipas burimeve zyrtare policore, bëhet e ditur se bashkë me Spahiun janë arrestuar për “moskallëzim krimi” dhe “përkrahje së autorit të krimit, të kryer në bashkëpunim”, edhe dy miqtë e tij, Olsi Mema, 22, dhe Dervin Logu, 21 vjeç. Gjithashtu, në rolin e të shoqëruarës në ambientet e policisë ka qenë dhe femra që mendohet të ketë qenë dhe shkaktarja, Mesida Ll. Sipas një njoftimi për shtyp, policia e Tiranës bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate, në ambientet e lokalit “Mai Tai”, në Lundër. Ndërkohë që nga burime të besueshme policore bëhet e ditur për gazetën, se gjithçka ka nisur kur të dyja palët, pasi kishin konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli, kishin nisur të debatojnë me fjalë e më pas duke u sharë. Ngacmimet e femrës së “tjetrit” kanë bërë që meshkujt të mos mbeten vetëm në kuadrin e të sharave, por autori i plagosjes ka thyer një nga shishet e shumta që ka zbrazur gjatë natës dhe me gjysmën e thyer ka goditur në pjesën e fytit të riun, i cili sipas burimeve mësohet se ka qenë krejt i vetëm. Ndërkohë që nga të tjera burime të besueshme bëhet e ditur se Mema dhe Logu kanë ndihmuar mikun e tyre të largohej nga vendi i ngjarjes dhe e kanë strehuar për disa orë në banesën e tyre, për t’i shpëtuar gjurmimit të policisë. Menjëherë për ngjarjen janë njoftuar forcat policore të Komisariatit Nr. 1 dhe specialistë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, të cilët pas disa orësh kanë mundur të arrestojnë 22-vjeçarin për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Pasi është bërë transportimi për në spital i të riut, specialistët kanë nisur punën për kapjen e autorit dhe kanë shoqëruar vajzën për ta marrë në pyetje, duke qenë se ajo ka qenë e pranishme dhe ka qenë dëshmitarja okulare e të gjithë sherrit. Dëshmia e saj mësohet të jetë administruar si provë kundër djemve me të cilët ajo shoqërohej në momentin e plagosjes, të cilët deri tani ishin pa precedentë penalë të mëparshëm.