Gati për operatorin e pestë

Ministria e Transporteve ka nisur zyrtarisht procedurat për pranimin e kërkesave për hyrjen në treg të një operatori të katërt celular. Hedhja e operatorit më të ri do të zyrtarizohet me mbajtjen e tenderit për përzgjedhjen e kompanisë fituese, i cili pritet të zhvillohet më 15 tetor. Lajmi është konfirmuar për gazetën “Korrieri” nga zyrtarë të Ministrisë së Transporteve. Sakaq, nga dikasteri i Transporteve në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator do të bëhen publikë emrat kompanive, të cilat kanë shprehur interes për hedhjen në treg të operatorit të katërt celular. Pra, e dhënë ndryshe, kjo është periudha që është përcaktuar nga Ministria e Transporteve për shprehjen e interesit të kompanive, ku nuk kanë munguar edhe ato vendase. Në procedurën e tenderit që do të zhvillohet për dhënien në përdorim të brezave për operatorët e rinj, nëse do të ketë kërkesë, nuk do të lejohet të marrin pjesë operatorët aktualë të autorizuar (licencuar) ose ortakë të tyre. Pas kësaj do të jetë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, që do të raportojë në ministri mbi kërkesat konkrete që ka pasur gjatë gjithë kësaj kohe. AKEP ka nisur prej kohësh fazën e konsultimit publik lidhur me kushtet e përdorimit të brezave përkatëse të radiofrekuencave që do t’u ofrohen operatorëve të rinj, konkretisht brezat E-GSM dhe GSM 1800. Synimi kryesor i konsultimit është të vlerësohet niveli i interesit të investitorëve të mundshëm dhe të merren opinionet e palëve të interesuara në lidhje me përdorimin e këtyre brezave.
AKEP nis hetimin e tregut
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare mendon se në treg mund të veprojnë deri në pesë kompani celulari, ndërkohë që praktikat evropiane kanë treguar që numri i operatorëve në këto tregje mund të arrijë deri në katër, madje në disa vende deri në tre. Ky institucion në një studim të fundit thotë se, “nisur nga kapacitetet e lira të brezave GSM, për të garantuar shfrytëzimin me efektivitet të këtyre brezave, AKEP paraprakisht mendon se numri i të drejtave të përdorimit të frekuencave (autorizimeve) që pritet të jepen, nuk do të jetë më i madh se dy”, thuhet shprehimisht në raportin e AKEP-së. Por për ta konkretizuar situatën, ku institucion, nëpërmjet nisjes së këshillimit publik, do të njihet me kërkesat e të interesuarve për përdorimin e këtyre brezave dhe në përfundim të procesit do të përcaktojë mënyrën e shfrytëzimit të brezave GSM dhe numrin e sipërmarrësve të rinj që do të futen në treg. AKEP mendon paraprakisht, se kërkesa për përdorimin e këtyre brezave është më e madhe se sasia e brezave të lirë, të disponueshem për t’u dhënë në përdorim. Megjithatë, në lidhje me kufizimin ose jo të numrit të drejtave që do të jepen për shfrytëzimin e brezave GSM, do të vendoset pas përfundimit të procesit të këshillimit publik, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9918, datë 19.5.2008.
Çmimet e telefonisë celulare 20 për qind më pak
Brenda datës 15 shtator të këtij viti, të gjithë qytetarët që kanë një telefon celular do të paguajnë 20 për qind më pak. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe i Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, tha dje gjatë analizës së punës të dikasterit që ai drejton, se metodologjitë e rregullimit të tarifave të organizmit me fuqi të ndjeshme në treg, “Albtelekom sh.a”, “AMC sh.a” dhe “Vodafone Albania” kanë hyrë që sot në fuqi. Metodologjitë e miratuara në muajin qershor të këtij viti nga Këshilli i Ministrave parashikojnë reduktimin e shpenzimeve të konsumatorëve me 20 për qind brenda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të mëtejshëm me 20 për qind brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total prej 36 për qindësh në vitin 2009, në krahasim me shpenzimet aktuale. Metodologjitë kanë për qëllim që tarifat e vendosura nga operatorët me fuqi të ndjeshme në treg (“Albtelekom”, “Vodafone Albania” dhe “AMC”) të jenë të orientuara drejt kostos, të jenë transparente, të mos jenë diskriminuese dhe të garantojnë trajtim të barabartë për operatorët dhe pajtimtarët.