E quante Putinin “frikacak” dhe “njeri të ulët”, dënohet me 4 vjet burg blogeri i njohur rus

Igor Girkin, blogeri i njohur rus i cili kishte dalë pro luftës së Putinit në Ukrainë por më pas e kritikoi atë, është dënuar me 4 vjet burg nga një gjykatë në Moskë me akuzën për ekstremizëm.
Gjykata e Moskës e dënoi Girkinin, i njohur me pseudonimin, Strelkov, për nxitje të ekstremizmit – akuzë që ai e mohoi.
Girin më parë ka mbajtur detyrën e oficerit të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) dhe atë të komandantit ushtarak duke luajtur një rol vendimtar në aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe në fazat e para të pushtimit të Donbasit, përpara se të bëhej bloger me mbi gjysmë milioni ndjekës.
Girkin ka pasur gisht edhe në rrëzimin e fluturimit MH17 të Malaysia Airlines në korrik të vitit 2014 dhe u dënua në mungesë për vrasje masive për rolin e tij në tragjedi.
Si pjesë e dënimit të tij të së enjtes, atij i është ndaluar qasja në internet, një veprim që në thelb mbyll aftësinë e tij për të sulmuar publikisht udhëheqjen e Putinit.
Girkin u arrestua në korrik dhe u akuzua për thirrje ekstremiste pasi ai u bë gjithnjë e më kritik ndaj Putinit dhe disfatave të ushtrisë ruse në Ukrainë.
Arrestimi i tij erdhi disa javë pas rebelimit të dështuar nga mercenarët Vagner në Rusi, një periudhë në të cilën pushteti i Putinit dukej më i brishtë se kurrë.
Girkin është ndër blogerët më të njohur të Rusisë, një grup korrespondentësh lufte që mbështesin pushtimin, por janë bërë gjithnjë e më kritikë ndaj operacioneve të lëkundura të ushtrisë ruse në Ukrainë teksa kanë kërkuar një qasje më të ashpër.
Ai bashkëthemeloi një grup politik ultra-nacionalist të quajtur Klubi i Patriotëve të Zemëruar pranverën e kaluar dhe i tha Reutersit se Rusia ishte “në prag të ndryshimeve shumë të rënda politike të brendshme me karakter katastrofik”.
Por, vetëm disa ditë para arrestimit të tij, Girkin intensifikoi kritikat e tij ndaj Putinit, duke e quajtur presidentin “të ulët” dhe “frikacak” në një postim në kanalin e tij Telegram.
“Për 23 vjet, vendi udhëhiqet nga një njeri i ulët. Vendi nuk do të jetë në gjendje të përballojë edhe gjashtë vjet të tjerë të këtij frikacaku në pushtet”, shkruante Girkin.
/rtsh.al/