E rrahu Noizy apo e rrahu Geti? Çfarë turpi për mediat
Ka më shumë se një javë që në aeroportin e Zyrihut në Zvicër, disa këngëtarë shqiptarë janë rrahur mes tyre, duke terrorizuar njerëzit e qytetëruar. Në një krah ka qenë rapper-i shqiptar, Noizy, në krahun tjetër rapper-at kosovarë të Babastars, me në krye Getoarin e Tingulli Trent.
Ka po ashtu një javë që mediat po merren intensivisht me faktin nëse i rrahu Noizy ata, apo e rrahën ata Noizy-n. Këtë fushatë mediatike e udhëheq Panorama dhe GSH, dy gazeta kombëtare.
Asnjëra prej tyre nuk përmend faktin se është një skandal që ata rrihen si rrugeçër në një vend të huaj, por i thurin lavde faktit se kush është më i fortë.
Një kulturë e tillë u bë shkak që para disa kohësh një adoleshent të plagosej, ndërsa rapper-at shqiptarë, të shëmtuar në zë e në mendim, tentojnë të bëjnë lojë luftash në rrugë. Familja e adoleshentit të mbetur lidhur pas krevatit, ndoshta për gjithë jetën, apeloi para disa kohësh, por apeli i saj mesa duket nuk ka rënë në radhë të parë në vesh të medias.