Rama: Shqipëria është bërë gazi i botës me diplomat false
Kreu i PS-së, Edi Rama, duke marrë shkas nga diploma e marrë nga ana e djalit të Umberto Bosit në Shqipëri, gjatë fjalës së tij në çeljen e garës për kreun e ri të FRESH, ka thënë se jemi bërë një vend për gazin e botës.
Duam një Shqipëri Europiane, të respektuar në bashkësinë e Europës, jo një vend që bëhet gazi i botës, siç u bë dhe dje me diplomën false të djalit të Umberto Bossi-t, karagjozit racist dhe antishqiptar matanë Adriatikut. E tërë Shqipëria dhe e tërë Italia u morën dje më atë diplomë të shitur në këmbim të parave.
Të ndërtojmë një sistem universitar europian, ku të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi të përgatiten për të qenë qytetarët e aftë dhe të barabartë të bashkimit të nesërm europian, ka thënë gjatë fjalës së tij Rama.
“Duam një Rilindje Shqiptare, jo një rrënim të mëtejshëm të Shqipërisë, duam punësim, taksim të ndershëm, arsim sipas meritës dhe shëndetësi sipas nevojës, një fshat që zhvillohet. Duam një Shqipëri europiane, jo një Shqipëri që bëhet gazi i botës. Për këtë Shqipëri na duhet dhe një FRESSH i ri, na duhet ti japim së bashku formë një politike të re, ku të gjithë përfshiheni në emër të ëndrrave, ka vijuar Rama.