E Shtunë, 31 Tetor 2026

E rrallë/kërkon zhvarrimin e të atit, refuzohet

TIRANE-Gjykata e Tiranës vendosi të rrëzojë kërkesën e një qytetari për zhvarrosjen e të atit, të cilin dyshon se 44 vite më parë, Sigurimi i Shtetit e ka shpallur të vdekur, ndërkohë që e ka dërguar me mision jashtë vendit. Ligor Goreja, e kishte ngritur këtë padi të rrallë, duke pretenduar se përmes zhvarrimit do të mund të mësonte të vërtetën për babain e tij Ndon Goreja, edhe pse mund të ishte e hidhur. Gjykata e rrëzoi kërkesën e 50-vjeçarit Goreja, i cili ishte ende fëmijë, kur i dha lamtumirën babait, edhe pse strukturat e regjimit e penguan familjen e tij të hapte arkivolin, fakt që i bëri që vite më vonë të ngrinin dyshimet. Tashmë që Goreja e ka humbur “betejën” me drejtësinë, duket se ka një dritë jeshile të hapur, për të ditur konkretisht se çka ndodhur me babain e tij, duke iu drejtuar Ministrisë së Brendshme.
Vendimi i plotë
Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi se: Në kërkesën e tij drejtuar gjykatës, Ligor Goreja nënvizon faktin se babai i tij i ndjeri Ndon Goreja i datëlindjes 1930 ka vdekur më datë 13.06.1969, në qytetin e Tiranës. Në kohën e vdekjes së të ndjerit Ndon Goreja, kërkuesi Ligor Goreja rezulton të ishte në moshën 6-vjeçare. Ligor Goreja deklaroi përpara gjykatës se ai kishte dyshime si në lidhje me vdekjen e babait të tij, ashtu dhe në varrosjen e tij në varrezat e Sharrës, parcela nr.3. Sipas kërkuesit Ligor Goreja, babai i tij Ndon Goreja ka qenë punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe për këtë arsye ai shpreh dyshime se babai i tij është dërguar me mision jashtë vendit dhe se ish strukturat e Sigurimit të Shtetit kanë improvizuar vdekjen e shtetasit Ndon Goreja pasi përsëri sipas kërkuesit arkivoli në të cilin pretendohej se ndodhej trupi i të ndjerit Ndon Goreja nuk është lënë që të hapej nga familjarët. Këtë fakt kërkuesi Ligor Goreja e mbështet me tregimet e nënës së tij.

Gjithashtu gjatë gjykimit kërkuesi Ligor Goreja deklaroi përpara gjykatës se atij i kanë ardhur sinjalizime nga persona të ndryshëm se babai i tij Ndon Goreja ka jetuar jashtë shtetit dhe se është parë në Gjermani.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor kërkuesi Ligor Goreja i kërkoi gjykatës që të bëhet zhvarrimi dhe këqyrja e kufomës pasi kërkuesi dyshon se në të nuk është varrosur babai i tij.
Gjykata pasi shqyrtoi kërkesën e bërë nga kërkuesi konstaton se në bazë të nenit 200 të K.P.Penale thuhet se: “Këqyrja e kufomës bëhet nga organi procedues në prani të mjekut ligjor. Për të bërë këqyrjen e kufomës, gjyqtari ose prokurori mund të urdhëroje zhvarrimin duke njoftuar një pjesëtar të familjes të të vdekurit për të marrë pjesë, me përjashtim të rasteve kur kjo pjesëmarrje mund të dëmtojë qëllimin e këqyrjes”.
Gjykata konstaton se për të proceduar në bazë të këtij neni, duhet që organi procedues të ketë regjistruar një procedim penal i cili është në hetim. Në rastin konkret nuk konstatohet një gjë e tille.

Gjykata krijon bindjen se në lidhje me dyshimet e kërkuesit ky i fundit fillimisht duhet t’i drejtohet Ministrisë së Rendit Publik, pasi është ky dikaster, i cili ka të gjithë arkivën e ish Sigurimit të Shtetit dhe nëse i ndjeri Ndoi Goreja ka qenë efektiv i ish Sigurimit të Shtetit dhe sipas pretendimeve të kërkuesit duhet të jetë dërguar me mision jashtë, një gjë e tille verifikohet në arkivat e kësaj ministrie.
Për sa më sipër gjykata arrin në konkluzionin se kërkesa e bërë nga kërkuesi Ligor Goreja, është e pambështetur në prova dhe ne ligj dhe për këto e rrëzon si të pambështetur në ligj dhe në prova.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›