E Shtunë, 31 Tetor 2026

E shkuara dhe e ardhmja e rrugës Myslym Shyri

Kristi Pinderi
Në një dyqan të vogël sa një ish-aneks kuzhine i kohës së komunizmit, xhamat janë të veshur me foto të një personazhi të Big Brother me të brendshme. Përballë tij, një modele shqiptare qëndron me një tharëse flokësh në duar dhe duket sikur nga momenti në moment do tundohet aq shumë, sa do përpiqet tia zhveshë mbathjet djalit në fjalë.
Ai dyqan të brendshmesh në rrugën Myslym Shyri, ndodhet ngjitur një dyqani që shet kafshë shtëpiake dhe ngjitur me të ndodhet një karburant. Nuk dihet se cila kompani sigurimesh mund të ketë marrë përsipër sigurimin e një objekti të tillë mu në zemër të rrugës më të populluar të Tiranës. Akoma më e vështirë është të kuptosh nëse ka ndonjë apartament aty rrotull që të ketë mundur të sigurohet, duke qenë ngjitur me një karburant që ka disa ton depozita nafte dhe benzine nën vete!

Në xhamat e dyqanit të kafshëve, çdo pasdite mund të shikosh edhe aktoren Marjeta Ljarja mes banorëve të tjerë të asaj rruge, që bashkë me mbesën sodisin këlyshët e qenve, ato të maceve dhe kaviet e ndryshme që reklamohen në atë dyqan. Herë pas here edhe majmunë të vegjël dhe kameleonë të ngurtësuar në një kafaz të vogël xhami me degë të thata lisi dhe ahu.
Përballë, ndodhet një qendër e vogël kazinoje dhe ngjitur me të, një ushqimore që shet bulmet nga jugu i Shqipërisë. Duket disi e vështirë të gjesh djathin e famshëm të gjirokastritëve të cilët para Luftës së Dytë Botërore paguanin mëditës grekë që të punonin në punë sezonale në baxhot e gjirokastritëve. Vështirë, në fakt, të gjesh aty edhe bulmet të Përmetit apo zonave juglindore, por gjithsesi, dyqani në fjalë reklamon bulmet jugu.

Larg vitrinave, jeta vlon
Kush mendon se rruga Myslym Shyri është një rrugë vetëm për dyqane veshjesh apo nusërie, e ka shumë gabim… Myslym Shyri që mban emrin e një partizani krejt të panjohur nga Ndroqi është sot një mikrokozmos i jetës kryeqytetase që përfshin jo vetëm dyqane të veshjeve, por të gjitha bankat, të gjitha kompanitë e telefonisë celulare, plot 4 dyqane kafshësh, dhjetëra bare e restorante, një pafundësi lojëra fati, farmaci, byrektore dhe fast food, dhjetëra biznese që tregtojnë gjithçka të mundshme për shtëpitë, etj.

Myslym Shyri përfaqëson sot një konglomerat shërbimesh dhe në total një stil jete që fare mirë mund të konsiderohet një qytezë më vete, mu në zemër të kryeqytetit shqiptar…

Por gjithçka që përmendet më lart, është vetëm vitrina e një rruge që ka një histori përfaqësuese për të gjithë Tiranën. Vitrina duket e bukur, ndonëse tërësia e shërbimeve që ofrohen janë kaotike dhe aspak të grupuara në atë mënyrë që të formojnë një zonë të veçantë të qytetit, me shërbime të veçanta dhe të specializuara, siç, fundja, ndodh në çdo qytet kryesor të Europës. Jeta e vërtetë, ajo disi e fshehur dhe që realisht përfaqëson shpirtin e asaj rruge që ende dhe sot është më e shtrenjta në kryeqytet, ndodh pas fasadave dhe vitrinave të dyqaneve.

Dy mikrolagjet që rrethojnë Myslym Shyrin, njëra nga unaza e ish-ekspozitës në drejtim të Myslym Shyrit, dhe tjetra nga rruga e Kavajës në drejtim të Myslym Shyrit, janë sot një Tiranë tipike, ku mungon uji, ku njerëzit tentojnë akoma të luftojnë me dinjitet mes atyre që ndihen autoktonë, dhe atyre që janë qiramarrës. Kësisoj, nëse duhet zbuluar Myslym Shyri kjo nuk bëhet dot në arkiva ku thuajse mungon informacioni për këtë partizan të devotshëm, dhe as duke shëtitur përballë vitrinave të rrugës. Futuni në interland për të kuptuar gjithçka.


Cunat që refuzojnë Bllokun

15 deri në 20 meshkuj të moshës nga 16 deri në 25 vjeç, të cilët jetojnë në rrugën Myslym Shyri grumbullohen çdo mbrëmje prapa një pallati që ka njërën fasadë bri rrugës, e tjetrën pas rrugës Myslym Shyri dhe tentojnë të vrasin mbrëmjen dhe natën duke stërvitur një qen disa muajsh pit-bull. Brendon, ky këlysh 5 muajsh i racës pit bull, në ngjyrë kafe, duket sikur nuk e njeh ende se cili prej këtij grupi masiv djemsh është pronari i vërtetë, apo alfa dog! Eshtë i yti qeni?, pyes njërin prej tyre. Po, më përgjigjet. Pastaj shton: e ka blerë kushëriri im! Eshtë i yti ky qen, pyes një tjetër. Po, më përgjigjet… Brendon, së bashku me këta djem të veshur sipas stilit tipik të çunave të lagjes jo si të çunave të llastuar të bllokut, janë shumë protektivë ndaj pallatit, mëhallës dhe gjithçka që ka të bëjë me jetën komunitare. Herë pas here i shikon të tymosin ndonjë cigare nga ato që bien erë ilegalitet…

Një bar i basteve sportive (apo tymkë për banorët e ardhur nga Korça atje të cilët ashtu konsiderojnë pothuajse çdo bar lagjeje) shfaq çdo mbrëmje ndeshje sporti dhe ofron një krikëll të madhe me çmimin 100 lekë. Përballë tij, një bar me emrin Rio është njëkohësisht një qendër ku banorët e lagjes takohen për mbledhje periodike. Herën e fundit mbi 30 banorë u takuan atje për të folur për ujin, dritat, ashensorin, pastërtinë, etj. Kishte shumë njerëz në mbledhjen e fundit?, pyes pronarin e atij bari. Kishte shumë. Dolën duke qeshur madje, përgjigjet si për të vërtetuar se jeta komunitare merr më shumë kuptim kur banorët ende takohen jo si në mbledhjet e dikurshme të lagjeve komuniste, por si në agoratë e famshme të demokracisë greke.

Në gjurmët e mbledhjeve të lagjes

Nuk e ekzagjeroj aspak me këtë përcaktim, përsa kohë që unë vetë, teksa ngjitesha në ashensor për në shtëpinë time, për dy javë rresht shikoja të ngjitur një njoftim që më ftonte të merrja pjesë në atë takim, e si në një formë të lehtë kërcënuese (ose më saktë prekje në sedër) përfundonte me fjalinë: Mospjesmarrja do të merret si mosinteresim për jetën tonë komunitare! Gjatë një projekti që ne kemi zhvilluar dy vjet më parë tentuam të fuqizojmë ndjenjat komunitare të disa lagjeve të Tiranës dhe unë mendoj se ka një nevojë të jashtëzakonshme për iniciativa të tilla, pasi ka qytetari akoma në Tiranë, qytetari që kërkon të shprehet me të gjitha format e mundshme, thotë Ened Mato, një i ri që përmes nje projekti komunitar i ka ndihmuar shumë banorë të Tiranës të nisin të zhvillojnë takime të tilla mes tyre për të vendosur për çështje të përbashkëta.

Më çmendin ata qentë te dyqani afër karburantit, natën vetëm lehin dhe më lenë pa gjumë, ankohet një banor. Mbetëm 5 ditë pa pikë uji, derisa u gjet një mënyrë që të kishim në rubineta të paktën 30 minuta ujë që të furnizoheshin dhe depozitat, po kështu nuk vazhdohet, thotë një tjetër banor. Janë të padurueshme uljet dhe ngritjet e qepenave! Në rrugën Islam Alla dhe në atë Mujo Ulqinaku, makinat mezi kalojnë e prapë ka aq shumë zhurmë, shton një tjetër banor. Më vjen pa fund keq për qentë në rrugë sepse besoj se kanë nevojë pë një strehë, por ama nuk arrij të fle dot gjumë natën dhe i urrej sa herë zihen për territorin e tyre dhe urrej administratorët e qytetit që nuk gjejnë dot akoma një zgjidhje të përshtatshme për këtë problem, thotë më tej një studente e Masterit.


400 biznese në më pak se 1 kilometër rrugë

Të gjitha këto janë ankesa nga banorë të kësaj rruge që ka në vetvete 107 dyqane posaçërisht për veshje, 45 mobileri, dyqane për pajisje shtëpiake, për produkte elektronike, televizorë, kitara, zbulurime, kopje çelësash, etj, 37 dyqane të tjera për syze, estetikë, këpucë të modës, etj, 16 bare e restorante, plot 12 kazino, 12 dyqane të tjera bixhuterish, dhe dhjetëra fast food, dyqane kasapësh e tregtimi të mishit, piceri, furra buke që punojnë 24 orë duke konsumuar stiva të tëra me dru të thatë, farmaci që ngjajnë si frigorifer, librari (njëra prej tyre, me një pronar karizmatik që pretendon se Lul Basha po e nd

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›