E Shtunë, 31 Tetor 2026

E urdhërojnë Presidenten

Atifete Jahjaga e ka mësuar përmendësh parakalimin para Gardës, e cila po rreshtohet shpesh për të. Por numri një i Shtetit vazhdon të ketë telashe me këshilltarët e vet, të cilët nuk po hezitojnë ta dirigjojnë atë edhe në publik. Njerëzit e Presidentes, në mënyrë të njëjtë, po provojnë të bëjnë edhe me gazetarët. Nga Faton Ismajli më 04 qershor 2011 në ora 07:58

Këshilltarët e Presidentes Atifete Jahjaga kanë vendosur të mos i lejojnë gazetarët të pyesin për tema që Shefja e Shtetit nuk mund t’u përgjigjet.

Kështu ka ndodhur të premten në Aeroportin Prishtinës, pas kthimit të Jahjagës nga një vizitë në Itali.

Në konferencën për media, këshilltarët e Presidentes kanë kërkuar disa herë të mos bëhen pyetje që nuk janë në të njëjtën vijë me “temën për të cilën janë ftuar gazetarët”.

“Ju lus edhe një herë, kolegë të nderumë, që t`i përmbaheni temës për të cilën keni ardhur dhe që të mos dalim jashtë asaj”, ka qenë kërkesa e zëdhënësit të Presidentes, Arbër Vllahiu.

Gazetarët nuk iu janë bindur “lutjeve” të këshilltarit të Presidentes për të bërë pyetje vetëm rreth vizitës në Itali.

Presidentja është pyetur për garancitë që ka marrë për mosndarjen e Kosovës dhe për një draftmarrëveshje ndërmjet Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Pas pyetjes, Presidentja, e cila sipas Kushtetutës është Komandante Supreme e FSK’së dhe ish –pjesëtare e Policisë së Kosovës, ka kërkuar ndihmë nga këshilltarët me anë të mimikës.

Ata kanë reaguar duke i dhënë publikisht sugjerime Shefes.

“Këto pyetje kanë dalë jashta temës për të cilën jeni njoftu. Të dyja pyetjet janë jashta temës”, ka reaguar zëdhënësi Vllahiu, i cili deri para pak kohësh ka qenë gazetar i BBC’së në gjuhën shqipe.

Ai i ka thënë Presidentes që të mos përgjigjet në pyetjen që ka të bëjë me FSK’në, Garda e së cilës po i rreshtohet shpesh Presidentes.

“Për pyetjen e dytë, jo”, ka qenë urdhri i Vllahiut për Presidenten.

“Ëhë”, është përgjigjur Presidentja Jahjaga, duke filluar të japë përgjigje vetëm për garancitë që ka marrë për shtimin e njohjeve.

Megjithëkëtë, një praktikë e tillë për të bërë pyetje vetëm rreth “temës” së paracaktuar nga Presidenti, nuk është praktikuar nga paraardhësit e Atifete Jahjagës.

Këshilltari për media i ish-Presidentit Sejdiu, Xhavit Beqiri thotë se asnjëherë nuk ua kanë kufizuar temën e pyetjeve gazetarëve.

“Ne gjithmonë u kemi treguar gazetarëve se mund të marrin dy, tri apo katër pyetje, varësisht nga koha, mirëpo nuk na është lejuar as nga Presidenti Sejdiu të kërkojmë nga gazetarët çfarë të pyesin, sepse gazetarët mund të shtrojnë pyetje edhe që mund të mos u pëlqejnë. Por është në dorën e zyrtarit të zgjedhë formën e përgjigjes apo të mos përgjigjet fare”, ka thënë Beqiri.

“Në një vend të lirë, gazetareve nuk mund t’iu paracaktohet çfarë duhet ta pyesin një zyrtar”, ka thënë Beqiri për Express, të premten.

Por Presidentja Jahjaga, për një moment u ka “rrëshqitur nga dora” këshilltarëve të saj duke dhënë një qëndrim rreth vendimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të mos lejuar kredi për Kosovën.

Për vendimin e FMN’së, Jahjaga ka shprehur keqardhje dhe ka kërkuar reagimin e institucioneve për plotësimin e kushteve të kërkuara institucionet ndërkombëtare.
“Unë shpreh keqardhje për vendimin e FMN’së në lidhje me abrogimin e vendimit për marrëveshjen “stand by”. Unë sot jam kthyer nga udhëtimi dhe menjëherë do t’i kem disa takime shtesë dhe do t’i inkurajoj të gjitha institucionet vendore që sa më shpejt që është e mundur t’i përmbushin kushtet dhe obligimet e tyre ligjore, në mënyrë që ne të mund ta marrim hapin drejt arritjes së marrëveshjes sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Jahjaga.

Shefja e Shtetit ka thënë se ka marrë premtime për njohje të reja për Kosovën, duke thënë se në takimet që ka pasur me presidentë shtetesh, ka kërkuar një gjë të tillë.

“Gjatë takimeve bilaterale me liderët e shteteve që ishin prezentë, unë kam marrë premtime për njohje shtesë të shtetit të Kosovës dhe kam marrë premtime edhe nga liderët e shteteve të tjera, të cilët do të jenë zëri ynë dhe do të angazhohen në lobime për njohjen e shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Jahjaga.

Presidentja Jahjaga ka qëndruar në Romë me rastin e 150-vjetorit të bashkimit të Italisë, ku është takuar me zyrtarë të lartë të shteteve të fuqishme të botës.

Njësoj sikur edhe në Samitin e Varshavës, për shkak të pjesëmarrjes së Presidentes së Kosovës, në këto takime ka munguar Presidenti serb, Boris Tadic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›