Zbulohen “krimbat nga ferri”

Shkencëtarët për herë të parë kanë zbuluar krijesa komplekse shumëqelizore që jetojnë një kilometër e gjysmë nën sipërfaqen e planetit, zbulim i cili hap çështje të reja për përhapjen e jetës në Tokë dhe jetët potenciale nëntokësore në planetët tjerë dhe satelitët e tyre.
Krijesat e reja janë quajtur “krimbat nga ferri” dhe ato janë gjetur në disa miniera ari në Republikën Jugafrikane.
Udhëheqësit e hulumtimit, Gaetan Borgonie nga Universiteti në Gent në Belgjikë dhe Tulis Onstot nga Prinston, kanë thënë se krijesat thellë nën sipërfaqen e tokës, me sistem nervor, atë të tretjes dhe sistemin reproduktiv janë njësoj sikur zbulimi i “Mobi Dikut në liqenin e Ontarios”.
Borgonie në 20 vjetët e fundit ka studiuar sistemin me anë të të cilit krimbat kanë ngritur rezistencën e tyre ndaj stresit. Një numër i madh i këtij lloji mund të mbijetojnë gati pa ajër, në mjedise të larta acidike dhe pavarësisht periudha të gjata pa ushqim.
Kur anija kozmike “Kolumbia” tragjikisht u dogj me rastin e hyrjes në atmosferën e Tokës në vitin 2003, krimbat, të cilët ndodheshin në rezervuarët e tij të vendosur në krahë, ishin të vetmit që shpëtuan.
“Kjo është diçka plotësisht e re”, ka thënë Onstot, puna e të cilit në Republikën Jugafrikane në dhjetë vjetët e fundit bëri revolucion në njohjen e jetës së përgjithshme mikrobiologjike të njohur si “extremophiles”, të cilët jetojnë në vende që për një kohë të gjatë është besuar se nuk janë të përshtatshme për jetë.
Hulumtimi sigurisht se do të nxisë sfida të reja shkencore dhe do të shkaktojë kontroverse, pasi që zbulimi është bërë në një mjedis ku shkencëtarët kanë konsideruar se jeta nuk mund të ekzistojë.