E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta e Edi Ramës

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama e prezantoi librin e tij, ‘Kurban’, edhe para lexuesit kosovar. Referuesit e lavdëruan librin por edhe autorin e tij, ndërsa vet Rama tha se ka pretenduar ta rrëfejë të vërtetën e tij.

Edi Rama ‘e preu’ kurbanin edhe në Prishtinë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë flijim për festa fetare, por për librin e tij, që e mban këtë titull. Në prani të politikanëve, artistëve dhe adhuruesve të tij, në Muzeun e Kosovës, të premten mbrëma, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë e prezantoi librin e tij, ‘Kurban’, edhe para lexuesit të Kosovës.

Për librin e Ramës, i cili është botuar nga shtëpia botuese ‘Dudaj’, folën analisti dhe filozofi Shkëlzen Maliqi dhe artisti Mehmet Behluli. I pari foli më shumë për librin dhe për Ramën si politikan, ndërsa i dyti iu qas anës artistike të ish kryebashkiakut të Tiranës.

Shkëlzen Maliqi tha se kjo që ka bërë Edi Rama gjatë verës së kaluar nuk është e zakonshme.

“Pas përfundimit të sagës së numërimit të votave për zgjedhjen e kryebashkiakut të Tiranës, që në tavolinë u vendos si fitore e kundërshtarit dhe humbje e Ramës, ai u izolua dhe shkruajti një libër, ‘Kurban’, me një frymë. Ky veprim i tij mendoj se edhe një herë dëshmon se sa atipik dhe i veçantë është Edi Rama si politikan, por edhe si krijues”, tha Maliqi.

Ai shtoi se Rama bëri një rrëfim aspak të mërzitshëm, me stil të lartë letrar, jo me atë gjuhë, sipas tij, bajate, shterpe dhe burokratike të shumicës së politikanëve që fjalimet ua shkruan dikush tjetër, ose edhe të publicistikës së sotme kakafonike.

Maliqi u shpreh se në librin ‘Kurban’ Edi Rama është vetja e tij, ashtu siç e njohim.

“Ai rrëfen dhe reflekton punët që i ka bërë, ose që nuk ka mundur t’i bëjë. Është një llogaridhënie, jo fort e zakonshme e një politikani, i cili ende e aspiron pushtetin, por që paraqitet lakuriq me një rrëfim më shumë letrar, me stil të lartë, që mund ta lexoni si novelë ku kryepersonazhi flet në vetën e parë”, tha Maliqi.

Sipas tij, libri ‘Kurban’ mund të lexohet në shumë mënyra, por secila prej tyre, sipas Maliqit, fton për dialog.

“Është një sfidë për të gjithë që të përballen me pikëpamjet dhe reflektimet e Edi Ramës. Nuk është vetëm libër i kujtimeve, edhe pse i referohet kujtesës, dhe nuk bën pjesë në memoaristikën e zakonshme. Është një libër ku me pasion ndërtohet një vizion i transformimit të Tiranës dhe Shqipërisë”, tha Maliqi.

Ndërkaq, referuesi tjetër, Mehmet Behluli, tha se Rama është artist thellësisht i angazhuar dhe i lidhur me artin si dhe politikan i pasionuar dhe seriozisht i lidhur me politikë, ndërsa në të njëjtën kohë disi i ngatërruar me të dyja.

“Edi Rama, një artist me karrierë artistike për lakmi, me disa ekspozita ndërkombëtare kulminante të kohës, me një eksperiencë prej pedagogu të artit në Tiranë, definitivisht e ka ndërruar mediumin dhe formatin. Në vend të pëlhurës ose letrës ose materialeve tjera për shprehje artistike të dimensioneve sado të mëdha, ai ka vendosur t’i zëvendësojë me hiq më pak se me një qytet të tanë, me Tiranën, qytetin e tij të lindjes dhe aty ku kaloi kohën më të madhe të rinisë”, tha Behluli.

Ndërsa vet autori i librit tha se është munduar të rrëfejë një të vërtetë jo dosido por të vërtetën e tij.

“E vërteta s’mund të jetë gjithmonë absolute, por është e vërteta e secilit. Libri është një rrëfim që si çdo rrëfim nuk pretendon të jetë historia e gjithëpranuar dhe e vërteta e gjithsekujt. Është vetëm historia ime dhe e vërteta ime dhe jam i bindur që secili nga personazhet e librit po ta shkruante të njëjtën histori do të shkruante një histori tjetër dhe do të rrëfente një të vërtetë tjetër”, tha Rama.

E ajo për të cilën kanë nevojë shqiptarët, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, sipas Ramës, është jo të ndërtojmë të vërtetat e të tjerëve, por të rrëfejmë të vërtetat tona.

Ai tha se ne, për fat të keq, trashëgojmë nga e shkuara një mendësi që është mendësia e ndërtimit të të vërtetave të të tjerëve për llogari të kundërshtisë ndaj të tjerëve dhe mendësia e fshehjes ndaj të vërtetave tona për njëmijenjë arsye.

“Libri është thjesht një e vërtetë që unë kam dëshiruar ta rrëfej në radhë të parë si një borxh ndaj gjithë atyre njerëzve që nga afër ose nga larg bënë shumë ose pak për mua, por edhe si borxh ndaj vetës sime”, tha Rama.

Ai i porositi lexuesit që ta marrin të vërtetën direkt nga libri e të mos e krijojnë opinionin nga komentet, qofshin ato që thonë se libri është shumë i mirë, qofshin ato që thonë se libri është shumë i keq.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›