E Diel, 1 Nëntor 2026

E vërteta e hidhur

Kemi treguar atë të vërtetë të hidhur që detyroi Sali Berishën të grabisë votat dhe të mbyll kutitë e 28 qershorit, me qëllimin e vetëm që të vazhdojë të grabisë Shqipërinë duke mbuluar me gënjeshtra dhe shirita mashtrues gropën ku po zhytet përditë ekonomia e vendit

Nga Edi Rama / Foto: NOA/LSA

Kryetar i PS

Dua të flas për një përmbledhje për mbledhjen e djeshme të Kuvendit:

Duke filluar nga një fakt i nënvizuar me plotë të drejtë nga një numër i konsiderueshëm deputetësh të opozitës, lidhur me spikeren e Kuvendit që abuzon me buxhetin e shtetit. Zonja Jozefinë çdo javë merr dieta sikur jeton në Shkodër, megjithëse banon mu në mes të bllokut në Tiranë si funksionari shtetëror me të ardhurat më të mëdha nga buxheti i shtetit. Jo vetëm për shkak të rrogës së lartë, por edhe të abuzimit të madh dhe të vazhdueshëm me këtë buxhet.

Ky buxhet i rishikuar nuk zgjidh asgjë, përveçse u tregon shqiptarëve me faktin rrëqethës të shkurtimit të 25% të shpenzimeve, se kriza është reale dhe nuk është një fantazi apo kokëndjellje opozitare. Buxheti i rishikuar vetëm e thellon krizën ekonomike të familjeve shqiptare. Siç u provua edhe dje, kjo gjendje e rëndë ka një shkak madhor. Ky shkak është korrupsioni i oborrit të pushtetit që ka kapur tërë shtetin.

Opozita në mënyrë të qartë e ka treguar të vërtetën për situatën ekonomike të vendit qysh prej fillimit të vitit 2009. Ne i kemi paralajmëruar me kurajë dhe kthjelltësi pasojat që kanë filluar të ndjehen sot në kockën e ekonomisë reale të familjeve e të sipërmarrjeve shqiptare.

Kemi treguar atë të vërtetë të hidhur që detyroi Sali Berishën të grabisë votat dhe të mbyll kutitë e 28 qershorit, me qëllimin e vetëm që të vazhdojë të grabisë Shqipërinë duke mbuluar me gënjeshtra dhe shirita mashtrues gropën ku po zhytet përditë ekonomia e vendit.

Nuk u dëgjuam në kohë sepse Shqipëria nuk u qeverisë nga të zgjedhurit e popullit, por nga ata që nuk e lanë të zgjedhë. Pikërisht pasi nuk duan të lënë pasuri të përbashkët, pronë publike e rëndom edhe private pa futur në oborrin e tyre.

Shkurtimi i mbrëmshëm i buxhetit është një përpjekje sa e vonuar aq edhe e dëshpëruar, e cila për më tepër nuk do të zgjidh asgjë.

Të gjithë do të jemi këtu kur brenda këtij viti një tjetër shkurtim dramatik do të lypset dhe për këtë shkurtim dramatik qeveria do të jetë e detyruar nga kriza dhe jo nga vullneti i saj, ti ridrejtohet kuvendit. Sepse qeveria nuk i doli përballë krizës në kohën e duhur dhe tani është kriza që e tërheq pas vetes qeverinë.

Kriza është më e rëndë, shumë më e rëndë sesa na e tregojnë shifrat gjithsesi të rënduara zyrtare. Në kutitë e mbyllura të ekonomisë shifrat dhe faktet mbahen fshehur dhe manipulohen nga trinomi Qeveri-Banka e Shqipërisë- Instat. Edhe dokumentacioni buxhetit siç e dëshmoi mungesa që e shoqëroi gjithë procesin e diskutimeve për të hartuar këto ndryshime që u miratuan mbrëmë mbahet i mbyllur, njësoj si dokumentacioni zgjedhor.

Për të njëjtat arsye në fakt mbulim i së vërtetës për qëllime fitimi, duke zgjatur qëndrimin në pushtet përmes falsifikimeve e shtrembërimeve të shifrave dhe fakteve të jetës reale të shqiptarëve. Që sot po asfiksohen përditë e më shumë nga laku i një krize të gjithanshme. Realiteti i kutisë së mbyllur të ekonomisë është po ai i kutisë së mbyllur të 28 qershorit dhe është po ai i kutisë që u hap në Ruzhdie.

Kur ky realitet të dal dhe patjetër do të dal një ditë në dritë, siç dëshmojnë dhe eksperiencat e ngjashme, Shqipëria do të tronditet njësoj si nga manipulimi i neveritshëm i Ruzhies dhe i ruzhdieve që rrinë sot e gjithë ditën të mbyllura, në pritje të hetimit parlamentar.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, ka një tabelë të ashtuquajtur tabelë paraprake për 6 mujorin e parë 2010, ku për herë të parë në këto 10 vjet fshihet përqindja e realizimit të planit.

Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve publikimi i fundit mban datën korrik 2007. Kurse Drejtoria e Doganave në faqen e saj zyrtare ka mbetur në prill.

Ministria e Financave deklaroi para ca kohësh se ka paguar çdo qindarkë që ka planifikuar Ministria e Punëve Publike. Por kjo e fundit as mbrëmë nuk arriti të thotë asgjë të logjikshme pse nuk janë planifikuar paratë që duhen për të shlyer segmente rrugore të kontraktuara dhe që sipas afateve duhet të kishin përfunduar, por që kanë mbetur sepse në fakt është shteti që ka mbetur pa lekë.

E vërteta është që për shiritat mashtrues të zgjedhjeve të shkuara, barra e pagesës së gjithë këtyre kantiereve të hapura pa i patur paratë, ju la pabesisht kompanive që u shkretuan nga kjo manovër e ulët.

80 milionë dollarë u shkurtuan mbrëmë nga investimet në punë publike. Që do të thotë se sipërmarrësit nuk do të paguhen as deri në fund të këtij viti për borxhet që ju ka qeveria. Furnitorët e tyre nuk do të marrin as deri në fund të këtij viti paratë që u kanë borxh kompanitë e rrugëve të mashtruara nga qeveria.

Bankat tregtare, të huaja a vendase, kot ta presin deri në fund të vitit sepse kreditë e riskeduluara, për faj të qeverisë dhe jo të kompanive, përsëri do të mbeten pashlyer. Punëtorët e kompanive që janë të sakrifikuarit e gjithë kësaj manovre në radhë të parë nuk kanë çpresin deri në fund të vitit sepse asnjë lekë nuk do të marrin nga punët e kryera. Ndërkohë asnjë punë të re nuk do mund të bëjnë, duke jetuar me borxhe e lista dyqanesh për mbijetesë.

Na erdhi të gjithëve zor dje kur e pamë Ministrin e Financave në atë gjendje që është katandisur deri në leximin e një liste kredish gjoja të mbyllura apo të ëndërruara, por që në fakt janë thjesht justifikime për përrallën 3.2 miliardëshe të Saliut.

Edhe një fëmijë e kupton se nuk ka pse shkurton investimet dhe pse i lë njerëzit dhe kompanitë me borxhe e me lista një qeveri që paskërka kontraktuar 3.2 miliard euro.

Arsyeja pse nuk janë fshirë edhe këto 3.2 miliardë euro në tabelat e buxhetit është se 3.2 miliard euro nuk ekzistojnë tjetërkund përveçse në listën e gënjeshtrave e të mashtrimeve publike të kësaj qeverie e posaçërisht të këtij kryeministri. I cili sot gënjen përditë e më shumë, sepse kriza sot është përditë e më e madhe.

Energjia elektrike sot është shtrenjtuar 13 %, uji i pijshëm 26%. Shërbimi shëndetësor është shtrenjtuar 46%. Vetëm shtesa në drita, ujë dhe telefon është 5 herë më shumë sesa rritja e sivjetshme e ashtuquajtur e pensioneve, që është më e ulët se inflacioni për pensionistët.

Në 6 muaj nuk është paguar asnjë qindarkë për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për familjet me të ardhura të ulëta. Qeveria deklaroi në nëntor 2009 kur paraqiti buxhetin se janë 2 miliardë lekë kompensime. Në dhjetor Kuvendi miratoi 1 miliardë lekë, e tani ky fond ulet në 650 milionë lekë, duke u pakësuar në 3 herë. Ndërkohë që askush nuk ka marrë asnjë qindarkë dhe këto 650 milionë lekë do të bëhen ZERO kur të vi përsëri rishikimi i këtij buxheti skandaloz. 60 mijë familjet e personave me aftësi të kufizuar ligjërisht e kanë të shkruar se duhet të marrin një pension bazë 10,700 lekë, por në të vërtetë ata marrin vetëm 8,700 lekë. Qeveria u vjedh haptazi çdo muaj secilit 2 mijë lekë dhe kjo gjë hyn në normalitetin e fakteve të jetës sonë të përditshme.

Kurse 96 mijë familjeve në ndihmë ekonomike, u është ulur kësti mujor 3690 lekë në muaj. Me një konsum mujor minimal energjie elektrike dhe uji të pijshëm atyre u mbeten vetëm 17 lekë në ditë për

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›