E vërteta për Kosovën
Regjisorja e filmit “Kosova 1 dhe 2”, Shenida Bilalli, e cila jeton në Kroaci, nënvizoi se ky film dokumentar paraqet argumente nga akademikë dhe historianë për të vërtetën e shqiptarëve, si dhe përjetimet e shqiptarëve që jetojnë në diasporë për Kosovën dhe për momentet e vështira që kaloi ajo.
“Atë gjendje e përjetuam shumë të rëndë dhe luftuam ashtu si ditëm. Filmin e kam punuar para 13 vitesh, dhe ai është përkthyer në 12 gjuhë botërore. Filmi është shfaqur në gjithë botën, ndërkohë që edhe Bill Clinton e ka parë atë, para NATO’s... Politikanët e huaj që e kanë parë, pastaj kanë deklaruar se në Kosovë ka dhunë dhe se ajo duhet shpëtuar”, u shpreh ajo, derisa sqaroi se në film ka rrëfyer dhimbjen ndaj Kosovës, në momentet më të vështira të saj.
“Unë nuk do të flas shumë, sepse mendoj që shpirtin dhe dhimbjen time ndaj Kosovës, ndaj prindërve e miqve, ndaj vëllezërve e motrave, e kam treguar me këtë film”, shtoi ajo, derisa pranoi se rrugëtimi i saj deri këtu nuk ishte aspak i lehtë, ngase iu desh “të luftonte gjatë gjithë kohës”. Ndryshe, ky është vetëm një prej afro 300 filmave të kësaj regjisoreje shqiptare që në Kroaci.