E zë gjumi në timon, vdes çifti kosovar dhe plagoset djali i tyre
Milot
Aksidenti i rëndë ndodhi në Rrugën e Kombit, kur automjeti fluturoi jashtë autostradës
Përgjaket sërish superstrada Milot-Morin, me një çift të vdekur dhe fëmijën e tyre të plagosur rëndë. Përsëri është një tjetër familje kosovare, ndërsa shkak i aksidentit është shpejtësia tej normave të lejuara. Burimet policore nga Drejtoria e Policisë së Lezhës thanë se një çift bashkëshortësh nga Kosova kanë humbur jetën, pasi automjeti me të cilin ata udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi disa metra jashtë saj. Aksidenti ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të së mërkurës në Rrugën e Kombit, në afërsi të Milotit, ndërsa viktimat janë Tafil Sele, 41 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Feride Sele, 39 vjeçe, ndërsa ka mbetur i plagosur edhe fëmija i tyre 9-vjeçar Fatjon Sele. Familja Sele ka qenë duke udhëtuar drejt Shqipërisë me një automjet tip Hyndai me targa gjermane, por në hyrje të Milotit, 41-vjeçari Tafil Sele ka humbur drejtimin e mjetit si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe përgjumjes, duke u përplasur fillimisht me barrierat mbrojtëse e më pas ka dalë jashtë rruge, duke përfunduar poshtë saj. Përplasja e mjetit ka qenë e fuqishme, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të saj Fadil Sele, ndërsa bashkëshortja e tij ka gjetur vdekjen gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Nga ky aksident mbeti i plagosur edhe djali i tyre, i cili ka qenë në sediljen e pasme, dhe është transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Në lidhje me fëmijën e plagosur, burimet nga spitali thanë se momentalisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por që ende nuk është stabilizuar. Aksidentet e rënda janë kthyer në një makth për të gjithë qytetarët, pasi çdo ditë shënohen viktima dhe të plagosur, sidomos për shkak të shpejtësisë. Vetëm pak ditë më parë, një familje tjetër kosovare u aksidentua, ku u plagosën katër persona, ndërkohë që kjo autostradë ka shënuar disa të vdekur, sidomos gjatë muajit korrik. Policia ka shtuar masat për kontrollin e rrugëve, por deri më sot, duket se këto masa janë të pamjaftueshme për të ndalur ritmin e aksidenteve me vdekje.
Ar. Bu.
E zë gjumi në timon, vdes çifti kosovar dhe plagoset djali i tyre burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip