Përurohet aksi Levan-Demas, Berisha: Ditë historike për Jugun
Tepelenë- Janë përuruar sot 38 kilometrat e para të supërstradës Levan-Tepelenë në segmentin Levan-Demas. I pranishëm në përurimin e këtij aksi kryeministri Sali Berisha e ka quajtur këtë një rrugë të rëndësishme për Jugun e vendit dhe zhvillim e tij ekonomik. Ai tha se ky është aksi më i bukur në Shqipërinë e poshtme.
Rrugët janë punësim, sepse ato janë korridoret e energjisë së tregut. Vetëm lugina që qarkon kjo rrugë me prodhimet e saj mund të mbajë për një kohë të mirë tregun e Tiranës, por nxjerrja e prodhimeve në treg më parë ishte e pamundur, distanca që shkurton rruga është punësim, se cdo investitor që ka ndërmend të investojë jashtë Tiranë përzgjedh qytete të tjera të jugut në të cilat arrin në një shpejtësi e transport shumë të mirë. Kjo është leva e Arkimedit për të nxjerrë njerëzit nga varfëria, për të bërë të vlefshme tokën e tyre, që të punojnë e të prodhojnë,- tha kreu i qeverisë.
Sipas Berishës, investimi në infraskturkturë është investimi më fitimprurës, referuar edhe të dhënave të Bankës Botërore, që e konsideron këtë si investim që kthehet me 4.5 deri në 5 dollarë. Ai tha se kjo rrugë por edhe të tjera në ndërtime e sipër synojnë krijimin e vendeve të punës, mundësinë për investime dhe transportin e prodhimeve bujqësore.
Superstrada Levan-Tepelenë është pjesë e Korridorit Veri-Jug me gjatësi totale prej 70 km dhe vlerë 70 milionë Euro. Ajo është ndarë në dy seksione: Levan-Damës dhe Damës-Memaliaj.
Sa i takon segmentit të parë të kësaj superstrade, Levan-Damës, ajo ka një gjatësi prej 38 kilometrash dhe gjerësi 10.5 metra. Shpejtësia e lëvizjes në këtë segment varjon nga 80-100 km/h dhe vlera e këtij investimi është 42 milionë euro.
Kjo superstradë përshkon rrethet Fier-Vlorë-Tepelenë. Vlen të theksohet se në këtë vepër janë ndërtuar 15 ura me gjatësi totale prej afro 500 m dhe 35 vepra të tjera hidraulike. Ky aks do të jetë në shfrytëzim të plotë nga qytetarët që nga dita e sotme.
/IDEA/