Tiranë, burri vret gruan me thikë, arrestohet
Krimi brenda familjes ka marrë përmasa alarmante në vendin tonë, ndërsa brenda një kohe shumë të shkurtër është rritur ndjeshëm numri i rasteve të tilla.
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në fshatin Arrë të Dukagjinit, ku babai vrau me çifte vajzën 14-vjeçare dhe më pas edhe veten, një tjetër krim brenda familjes ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet. Një 26-vjeçar ka goditur me thikë bashkëshorten e tij, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e çiftit Koxhaj, ku 26-vjeçari Arben Koxhaj ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij, Manjola Koxhaj pas një grindjeje të çastit me të.
Sipas policisë, krimi ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa policia ka arritur të vërë në pranga autorin e vrasjes dhe po heton në lidhje me rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë.
2 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Tiranë, burri vret gruan me thikë, arrestohet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip