EDUKIMI DHE VETËM EDUKIMI MUND TA NDRYSHOJË SHQIPËRINË
PLEURAT REXHEPI
Një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare është mënyra e të menduarit, mënyra se si ne perceptojmë vlerat, dukuritë, veprimet dhe gjithçka që na rrethon. Është trishtuese, por tërësisht e vërtetë se një nga dëmet më të mëdha të shoqërisë sonë është se historikisht kemi ndërtuar sisteme pa shtyllë kurrizore, të pabazuara në edukim dhe ndriçim human, duke humbur gjithmonë trenin e ndryshimit real.
A mund ta quajmë të suksesshëm një vend, shtet apo komb nëse shoqëria nuk ndryshon mënyrën e të menduarit? Unë mendoj se është e pakuptimtë, irracionale dhe e destinuar që të dështojë.
Them e pakuptimtë, pasi ne si shoqëri jemi munduar gjithmonë të kopjojmë nga të tjerët sisteme shoqërore, të kopjojmë programe politike pa asnjë fije edukimi apo mendimi lidhur me mënyrat se si duhet të funksionojnë realisht institucionet apo vetëdija qytetare.
Ne ishim ata që ndërtuam mbretëri por pa u edukuar se çfarë është mbretëria. Ne ishim ata që ndërtuam komunizmin, por pa u edukuar se çfarë është tirania. Ne ishim ata që ndërtuam demokracinë, por pa u edukuar se çfarë është liria, prona dhe vlera.
E thënë me pak fjalë, ne gjithmonë kemi vuajtur nga edukimi dhe mënyra e të menduarit, pasi kemi ngritur shtëpinë tonë të përbashkët në tokë moçalore. Edhe atëherë kur kemi pasur individë me vlera dhe bagazh të dijes, i kemi nënvlerësuar, sulmuar, goditur dhe larguar vetëm për hir të interesave personale, me thënien e famshme: injorim.
Kur një shoqëri humbet besimin tek vlerat e edukimit, ajo humbet shpirtin e qytetarisë, humbet çdo formë të saj dhe shformohet si një oktapod i frikshëm që thith çdo rreze shprese dhe ndjell vetëm agresivitet primitiv e injorancë qytetare.
Në fund të viteve 1800, kur Naim Bej Frashëri (Vepra 6) shkruante për numrat, shumëzimin, pjesëtimin, universin, planetët, gjeografinë, gjeologjinë, biologjinë, ai nuk ndryshoi Shqipërinë, por iluminoi mendjet e njerëzve për ta ndryshuar Shqipërinë.
Çdo ekonomist e ka të qartë se investimi në dije paguan interesa më të larta se çdo investim tjetër, por kërkon dëshirë, pasion, traditë, mbështetje dhe kohë. Koha dhe durimi janë bazat kryesore të kostos, pasi investimi në edukim nuk kthehet brenda katër apo tetë viteve dhe si i tillë, të gjithë e trajtojnë atë si shtyllë të tretë apo të katërt në politikëbërje dhe harrojnë se ai është themeli i shoqërisë, i cili rrit ekonominë, shëndetësinë, risinë dhe vetëdijen qytetare dhe ul agresivitetin, kriminalitetin dhe injorancën.
- Nëse ne duam realisht të ndryshojmë ekonominë, ne duhet të edukojmë sipërmarrësit, tregtarët, vendimmarrësit me dije të reja, me risi teknologjike, me mentalitet global i cili është vazhdimisht në kërkim të dijes dhe përmirësimit të vazhdueshëm.
- Nëse ne duam të përmirësojmë shëndetësinë, ne duhet të edukojmë doktorët, studentët, pacientët, me dije të reja, me kërkime shkencore, me vlera humane, të cilët janë vazhdimisht në kërkim të dijes dhe përmirësimit të shëndetit fiziko-mendor.
- Nëse ne duam të ndërtojmë risi në çdo fushë të shoqërisë, ne duhet të ndërtojmë institucione, shkolla, gjimnaze, universitete, laboratorë, të cilat do të krijojnë njeriun e së ardhmes, duke hequr dorë nga zhgualli i të menduarit primitiv.
Mos e teprova pak me togfjalëshin primitiv? Aspak jo, them jo dhe jo, sepse çdo ndryshim rrënjësor ka ardhur kur njerëzimi ka ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe jo kur është konceptuar si qenie e botës materiale, e cila mund të ndryshohet vetëm me para.
Sëmundja e fokusimit drejt botës materiale dhe vlerësimi i individit vetëm nga paraja, krijon një shoqëri agresive, e cila qëllim primar përbën uzurpimin dhe zhvatjen e gjithçkaje që i del përpara. Kjo jo vetëm rrit kriminalitetin, por krijon një injorancë totale në mendësinë e çdo individi ku antivlerat shndërrohen në vlerë, ku imoraliteti shndërrohet në moral, ku antiligji shndërrohet në ligj dhe krijon një krizë të thellë psikike, ku shformon dhe tjetërson mënyrën e të menduarit dhe shkatërron koshiencën dhe ndërgjegjen qytetare.
A është e drejtë që ne sot merremi më tepër me analiza politike apo kalkulime të rezultatit zgjedhor dhe harrojmë të merremi me thelbin real të problemit tonë shekullor: Krijimin e Mendimit Kritik! Zgjimin e Mendjes! Iluminim Njerëzor! Zhvillim! Harmoni! Besim tek Njëri-Tjetri!
Të gjitha këto kërkojnë investime strategjike 40-vjeçare në edukim ku përgatiten brezat e ardhshëm me shkencë, dije, tolerancë, risi, dhe ku të gjithë politikëbërësit bien dakord në krijimin e Fondit të Mendimit, i cili shkund çdo pluhur të së kaluarës apo mëri politike dhe ndërton tempullin e dijes për zhvillim shoqëror.
Një profesor i nderuar më thoshte: Çdo reformë e thellë dhe me rezultate konkrete ka kosto financiare e kosto në kohë, e thënë me pak fjalë janë forca me kahe të kundërta, por janë realisht reformat të cilat ndërtojnë themelet e shtet-formimit pasi krijojnë njeriun e së ardhmes duke fituar në kohë. Rrënjët e edukimit janë të vështira, por frutat janë gjithmonë shëruese për qytetarët.
Edukimi dhe vetëm Edukimi mund të ndryshojë mënyrën e të menduarit primitiv. Është e vetmja armë e ndërgjegjësimit qytetar, e cila mund ta kthejë shoqërinë drejt vlerave, humanizmit dhe risisë. Është e vetmja armë e fuqishme e cila mund të ndryshojë realisht Shqipërinë. Edukimi nuk është përgatitje për jetë, por është vetë jeta dhe baza e shtet-formimit tonë.
EDUKIMI DHE VETËM EDUKIMI MUND TA NDRYSHOJË SHQIPËRINË burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email