E Hënë, 2 Nëntor 2026

EGJIPT – Bisedime vendimtare për paqen në Gaza

KAJRO,6 tetor /ATSH-DPA/ – Bisedimet për planin e paqes në Gaza të presidentit amerikan Donald Trump po zhvillohen në Egjipt, ku përfaqësues të Hamasit, Izraelit, SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit po takohen për të diskutuar një armëpushim të mundshëm, lirimin e pengjeve dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Delegacioni i udhëhequr nga Khalil al-Hayya, përfaqësuesi më i lartë i Hamasit jashtë vendit, u takua sot  me ndërmjetës nga Katari dhe Egjipti, thanë burimet.

Egjipti, Katari dhe SHBA po ndërmjetësojnë në konfliktin mes Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas.

Bisedimet, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues amerikanë dhe izraelitë raportohet se do të zhvillohen brenda disa orëve. Ashtu si në raundet e mëparshme, përfaqësuesit e Izraelit dhe Hamasit nuk do të negociojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.

Përveç al-Hayya-s, në qytetin bregdetar të Detit të Kuq, Sharm el-Sheikh, ka mbërritur edhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff.

Në takim pritet të marrë pjesë edhe delegacioni izraelit i udhëhequr nga ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, si dhe përfaqësues të qeverisë turke. Shumica e zyrtarëve të lartë të Hamasit jashtë Gazës jetojnë në Katar ose Turqi.

Burime të sigurisë thanë se përfaqësuesit e Hamasit ishin “shumë të hapur” ndaj përpjekjeve të Egjiptit dhe Katarit për arritjen e një marrëveshjeje, duke shtuar se ata shfaqën një “gatishmëri të sinqertë” për të përmirësuar situatën në konfliktin e vazhdueshëm të Gazës, në përputhje me planin e Trumpit.

Fillimisht pritet që bisedimet të përqendrohen në lirimin e 48 pengjeve të mbetura në këmbim të një armëpushimi dhe lirimit të qindra të burgosurve palestinezë. Ashtu si në raundet e mëparshme, bisedimet mund të zgjasin për disa ditë. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›