MOSKË – Rusia hedh poshtë akuzat për incidentin e dronëve në hapësirën ajrore gjermane

MOSKË, 6 tetor /ATSH-DPA/- Rusia hodhi poshtë sot akuzat për përfshirje të dronëve rusë në hapësirën ajore të Gjermanisë, disa prej të cilave kanë çuar në pezullimin e përkohshëm të trafikut ajror në aeroportet më të ngarkuara të vendit.
“Ka shumë politikanë në Evropë që kanë tendencë ta fajësojnë Rusinë për gjithçka në këtë moment. Ata e bëjnë këtë pa justifikim dhe në një mënyrë gjithëpërfshirëse”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Historia me këto dronë është me të vërtetë e çuditshme. Por nga ana tjetër, nuk ka asnjë arsye për të fajësuar Rusinë për këtë”, tha ai, duke iu referuar deklaratës së kancelarit, Friedrich Merz dje gjatë një interviste për ARD.
Merz supozoi se pas pamjeve të dronëve në Mynih, një pjesë e konsiderueshme e tyre kontrolloheshin nga Rusia.
“Ne e dimë që Putini dëshiron të na testojë”, tha Merz.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha të enjten e kaluar se akuzat kundër Rusisë ndoshta kishin për qëllim të acaronin më tej situatën dhe ta nxisnin Evropën të rriste shpenzimet e saj të mbrojtjes.
Në të njëjtën kohë, Putini hodhi poshtë pretendimet – se Rusia donte të sulmonte një vend të NATO-s gjatë, duke i konsideruar ato si të pakuptimta – gjatë një fjalimi në një forum ndërkombëtar në Soçi. //a.i/