EKB dhe Bashkia e Shkodrës, bashkëpunim për banesa sociale për familjet në nevojë

Bashkia e Shkodrës dhe Enti Kombëtar i Banesave po intensifikojnë përgatitjet për ndërtimin e një blloku banesash sociale në këtë qytet.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, drejtori i përgjithshëm i EKB-së, Stefan Çipa inspektuan zonën ku do të ngrihen ndërtesat sociale që do të shërbejnë për strehimin e familjeve në nevojë, si dhe për shërbimet komunitare.
Në fjalën e tij Çipa tha se “falë bashkëpunimit të filluar mes Entit kombëtar të Banesave me Bashkinë e Shkodrës do të fillojmë në këtë zonë urbane ndërtimin e banesave sociale me kosto të ulët. Do të fillojmë sa më shpejt për të ndërtuar banesën e parë me 6 kate në Shkodër e pastaj për të vazhduar me banesa të tjera”.
Kryebashkiaku Beci theksoi se bashkia ka vënë në dispozicion truallin pasi zgjidhjen e problemit të strehimit të pastrehëve e konsideron prioritet.
“Janë dy modele, një godinë me 6 kate dhe një me 8 kate, që janë aplikuar. Është shumë e rëndësishme që katet e para të përdoren për nevoja sociale si kopshtet. Shpresojmë të vazhdojmë me shpejtësi zbatimin e këtyre banesave sociale”, tha kryebashkiaku Benet Beci.
/ rtsh.al /