E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRAT/ Trafik ndërkombëtar droge në Belgjikë, GJKKO konfiskon 21 pasuri të 5 subjekteve pas hetimeve të SPAK-ut

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur këtë të mërkurë vendimin për pranimin pjesërisht të kërkesës së SPAK-ut, duke kaluar në favor të shtetit dhjetëra pasuri të luajtshme, paluajtshme dhe llogari bankare të pesë subjekteve nën hetim dhe personave të lidhur me ta.

Vendimi me nr. 13, i marrë nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, u mbështet mbi ligjin “Anti-Mafia” (Nr. 10 192) pas hetimeve pasurore të nisura ndaj shtetasve Eridan Munoz Guerrero, Deljana Nebiu, Sokol Çamer, Julian Veliu dhe Lenkos Nebiu, si dhe personave të tretë të përfshirë në këtë proces.

21 pasuri kalojnë në favor të shtetit

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, pasuritë e konfiskuara përfshijnë apartamente banimi, njësi shërbimi, ambiente garazhi, mjete me motor dhe llogari me vlera të konsiderueshme monetare, të shtrirë kryesisht në zonën e bregdetit dhe Tiranë.

Ndër pasuritë kryesore të konfiskuara numërohen apartamente dhe njësi shërbimi, disa apartamente dhe njësi tregtare në pronësi të shtetaseve Deljana Nebiu dhe Eridan R. Nebiu, të fituara përmes kontratave të blerjes dhe dhurimeve nga shoqëri ndërtuese apo persona privatë.

Shtëpi dhe troje, banesa njëkatëshe së bashku me sipërfaqet përkatëse të trojeve në emër të bashkëshortëve Eridan R. Çameri/Nebiu dhe Deljana V. Nebiu, Sokol R. Çameri, si dhe Julian R. Veliu.

Mjete transporti, një autoveturë luksoze e markës Audi A8 (viti i prodhimit 2014) dhe një rimorkio e veçantë transporti e importuar nga Italia.

Llogari bankare, gjendjet monetare në lekë dhe euro pranë disa bankave të nivelit të dytë në emër të Deljana Nebiut dhe Julian Rexhepit (Veliu), të cilat ishin sekuestruar më parë në kuadër të letërporosisë me autoritetet e drejtësisë belge.

Revokohet sekuestroja për 5 pasuri

Në të njëjtin vendim, trupa gjykuese vendosi revokimin e masës së sekuestros për pesë pasuri të tjera, pasi nuk u provua lidhja e tyre me veprimtarinë e paligjshme. Ndër pasuritë që u lirohen nga sekuestroja përfshihen dy apartamente në pronësi të shtetases Deljana Nebiu, një apartament 97 m² në emër të shtetases A.N, si dhe dy autovetura të markave Mercedes Benz dhe Ford Mustang.

Ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit

Në mbështetje të nenit 28 të ligjit “Anti-Mafia”, vendimi për konfiskimin e pasurive hyn në fuqi dhe vihet në ekzekutim menjëherë pas shpalljes.

Për administrimin dhe përdorimin e mëtejshëm të këtyre pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme është ngarkuar Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme. Paleve u lihet e drejta e ankimit brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Trafik ndërkombëtar droge në Belgjikë

Subjektet e këtij hetimi pasuror janë akuzuar nga drejtësia në Mbretërinë e Belgjikës për veprat penale të “Organizates kriminale me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, vepra që parashikohen po ashtu nga nenet 283/a, 287 dhe 333/a të Kodit Penal Shqiptar.

Mbi bazën e lehtësimeve procedurale dhe letërporosive të dërguara nga autoritetet belge, SPAK identifikoi dhe vendosi në sekuestro pasuritë e dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›