VIDEO/ Tragjedia me tre viktima në Postribë, publikohen pamjet nga brenda shtëpisë së shkrumbuar

Janë publikuar pamjet e para nga brenda banesës së vjetër në fshatin e thellë të Postribës, ku mëngjesin e sotëm humbën jetën tragjikisht 24-vjeçarja Blerina Çobaj dhe dy fëmijët e saj të mitur, si pasojë e një zjarri masiv.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë përmasat shkatërruese të flakëve, të cilat kanë djegur tërësisht strukturën e brendshme të ndërtesës, duke e shkrumbuar atë brenda pak minutave. Nga pamjet e publikuara duken qartë muret e nxira nga tymi, çatia e shembur plotësisht dhe mbetjet e djegura shtëpiake.
Grupi hetimor dhe ekspertët e shërbimit zjarrfikës vazhdojnë punën në territorin e djegur për të dokumentuar provat materiale. Dyshimi kryesor mbetet shpërthimi i mundshëm i një bombole gazi, por pamjet nga brenda po analizohen për të përcaktuar me saktësi vatrën fillestare të zjarrit.
Kronologjia e tragjedisë
Familja Çobaj kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte udhëtuar drejt Postribës për të kryer riparime në shtëpinë e pabanuar prej kohësh.
Kryefamiljari, i cili u largua vetëm pak metra për të marrë diçka, u përball me flakët masive. Terreni i thyer malor dhe izolimi i banesës — rreth 40 minuta larg rrugës kaluese për automjetet — bënë të pamundur ndërhyrjen e shpejtë të ekipeve të emergjencës.
/rtsh.al/