EMRI/ Arrestohet në Rinas 57-vjeçari, pjesëtar i grupit kriminal që merrej me kontrabandë mallrash

Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, kanë bërë të mundur kapjen e një shtetasi në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e kontrabandës.
Gjatë kontrolleve të detajuara në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, u ndalua shtetasi Gëzim Stërkeshi, 57 vjeç, i cili tentonte të hynte në Shqipëri, ndonëse ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO).
Sipas hetimeve, 57-vjeçari është pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në veprimtari të paligjshme të kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë, ose që përfitojnë nga pezullimi i detyrimeve doganore dhe të akcizës.
Masat procedurale për arrestimin e tij janë ekzekutuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DPPSh, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Policia e Shtetit vijon kontrollet rigoroze në pikat kufitare, me qëllim ndalimin e veprimtarive të paligjshme dhe kapjen e personave në kërkim, duke garantuar një shërbim të sigurt dhe etik për qytetarët.
/vizionplus.tv