I dënuar në Itali me 7 vite burg, arrestohet në Shijak 39-vjeçari

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Sektorin përkatës në DVP Durrës, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Operacionalja 57”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në fshatin Hardhisht, Shijak, shtetasi Fatjan Stafa, 39 vjeç, banues në fshatin Pjezë, Durrës. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Firence e ka dënuar me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ndërsa Interpol Tirana po vijon procedurat për dorëzimin e tij te autoritetet italiane.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe vendosjen e tyre përpara drejtësisë.
/vizionplus.tv